Aleatët e zotit Trump krijojnë Komitetin e Veprimit Politik “MAGA Inc.” 

Donald Trump holds rally in Ohio

Aleatët kryesorë të ish-presidentit Donald Trump krijuan një organizatë të re politike që pritet të shërbejë si mjeti kryesor për shpenzimet e tij në zgjedhjet e këtij viti për Kongresin dhe mund të bëhet një pjesë kyçe e infrastrukturës së fushatës së tij nëse ai vendos të hyjë në garën presidenciale të vitit 2024.

Komiteti i Veprimit Politik (PAC), që merret me grumbullimin e fondeve për fushata zgjedhore ose kandidatët, i quajtur “MAGA Inc.”, do të zëvendësojë organizatën politike aktuale të zotit Trump, njoftoi fillimisht gazeta “Politico”. Dokumentet për krijimin e organizatës së re u dorëzuan të premten në mëngjes tek Komisioni Federal i Zgjedhjeve.

Kjo ndodh në një kohë kur republikani Donald Trump është nën presion ligjor në rritje në shumë fronte. Departamenti i Drejtësisë ka nisur një hetim penal lidhur me qindra dokumente të klasifikuara që përfunduan në shtëpinë e tij në Florida, dhe zyrtarët shtetërorë dhe federalë po hetojnë përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj demokratit Joe Biden. Ndërkohë në Nju Jork, Prokurorja e Përgjithshme Letitia James ngriti një padi këtë javë, në të cilën pretendohet se kompania e ish-presidentit Trump ka bërë shkelje të shumta prej disa dekadash në dokumentet financiare për të rritur vlerën e saj me miliarda dollarë.

Njoftimi për krijimin e Komitetit të ri të Veprimit Politik bëhet gjithashtu më pak se dy muaj përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit për Kongresin.

“Presidenti Trump është i përkushtuar në përpjekjen për të shpëtuar Amerikën dhe ‘Make America Great Again Inc.’ do të sigurojë që kjo të arrihet në kutinë e votimit në nëntor dhe më tej”, tha zëdhënësi i zotit Trump, Taylor Budowich, i cili do të shërbejë si drejtor ekzekutiv i MAGA Inc. Kësaj organizate do t’i bashkohen edhe eksperti politik republikan Chris LaCivita, eksperti i sondazheve, Tony Fabrizio dhe ndihmësit e komunikimit Steven Cheung dhe Alex Pfeiffer.

Ndërsa ish-presidenti Trump ka luajtur një rol të konsiderueshëm në grumbullimin e fondeve që nga largimi nga posti i presidentit, Komiteti aktual i Veprimit Politik “Make America Great Again Inc.” nuk ka qenë një aktor i madh në zgjedhjet për Kongresin.

Zoti Trump ka qenë nën presion në rritje për të përdorur fondet e mbledhura për zgjedhjet për Kongresin, pasi republikanët deri më tani kanë arritur të grumbullojnë më pak fonde se sa rivalët e tyre demokratë për fushatën e zgjedhjeve të 8 nëntorit.

Presidenti Trump pritet të hyjë sërish në garën presidenciale, por ende nuk është e qartë se kur do ta njoftojë vendimin e tij për të kandiduar. Më herët ai dëshironte ta njoftonte kandidaturën para zgjedhjeve për Kongresin, pjesërisht për të shkurajuar kandidatë të tjerë të mundshëm republikanë, por disa ndihmës i kërkuan atij që të priste, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund ta linte atë të hapur ndaj kritikave dhe fajësimit për paraqitje të dobët të republikanëve në zgjedhjet e 8 nëntorit.