Ekspertët analizojnë thirrjen e Rusisë për mobilizim

  • Cindy Saine

In this photo taken from video released by Russian Defense Ministry Press Service, Russian Defense Minister Sergei Shoigu speaks during a meeting in the Russian Defense Ministry office in Moscow, Sept. 21, 2022. (Russian Defense Ministry Press Service vi

Zyrtarët e lartë amerikanë po i quajnë planet e presidentit rus Vladimir Putin për të mobilizuar 300,000 trupa ruse për të luftuar në Ukrainë, një shenjë dobësie dhe theksojnë se Moska është "në vështirësi". Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine bisedoi me disa ekspertë të cilët thonë se thirrja e rezervistëve mund të rrisë kundërshtimin brenda Rusisë, ndërsa efektshmëria e mobilizimit në fushën e betejës mbetet e pasigurt.

Your browser doesn’t support HTML5

Ekspertët analizojnë thirrjen e Rusisë për mobilizim

Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi një përshkallëzim të madh në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, duke bërë thirrje për mobilizimin të pjesshëm të popullsisë, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Putini u përpoq t’ia ulë rëndësinë këtij vendimi.


"E përsëris. Fjala është për mobilizim të pjesshëm. Do të thotë, shërbimi ushtarak u kërkohet vetëm qytetarëve që janë aktualisht në rezervë dhe mbi të gjitha ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura dhe kanë aftësi të caktuara ushtarake dhe përvojë specifike", tha presidenti Putin.

Por ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shogun e bëri të qartë se do të thirren 300,000 rezervistë për të shkuar në Ukrainë.

Michael Kimmag në Universitetin Katolik i tha Zërit të Amerikës se njoftimi për të është befasues dhe se është e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë mobilizimi në rezultatin e luftës.

“Mendoj se pyetja kryesore është nëse këta rekrutë të rinj mund të integrohen efektivisht në një forcë luftarake dhe, edhe nëse munden, nëse strategjia e Rusisë në Ukrainë do të japë vërtet rezultate të ndryshme nga ato që ka dhënë. Deri më tani, nuk ka qenë një strategji fituese. Pra, a përbën domosdoshmërisht ndryshim që të ketë më shumë ushtarë me një strategji joefektive? Është e paqartë! Por mobilizimi me siguri do të bëhet dhe mund të jetë thjesht një hap i parë në një luftë shumë më të gjerë”.

Michael Kimmage thotë se me mobilizimin Putini ka thyer një kontratë të pashkruar me popullin rus se ata do të liheshin kryesisht jashtë përpjekjeve të tij ushtarake.

“Pra, nëse një 25-vjeçar në Moskë, ose Shën Petersburg, deri para një jave mund të thoshte se lufta ishte punë e dikujt tjetër, sot nuk mendon më ashtu. Si rezultat mund të shihni që disa njerëz do të përpiqen të largohen nga vendi”, thotë eksperti.

Presidenti rus akuzoi gjithashtu Perëndimin për shantazh bërthamor.

“Nëse integriteti territorial i vendit tonë kërcënohet, ne pa diskutim do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë’.

Duke shtuar se “Ky nuk është një bllof”.

Por Christo Grozev me grupin Bellingcat i tha Zërit të Amerikës se beson se kërcënimi i nënkuptuar bërthamor i Putinit ka të ngjarë të jetë shtirje.

“Veçanërisht në një kohë dobësie të Putinit, oficerët ka të ngjarë të mos i binden një urdhri të tillë, sepse një Putin i dobët nuk mund t'u ofrojë atyre mbrojtjen nga një gjykatë e ardhshme, ose nga drejtësia e ardhshme, apo edhe nga drejtësia morale, në rast se ai nuk është aty për të mbrojtur të ardhmen e tyre. Pra, unë mendoj se ka shumë bllof nga Putini se do të përdorë armë bërthamore. Mundësia që ai të urdhërojë përdorimin e tyre është shumë e ulët“, thotë eksperti.

Rivali më i fortë i Putinit, udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse, Alexei Navalny, dha një deklaratë me video në një paraqitje në gjykatë të mërkurën. Ai tha se mobilizimi i pjesshëm do të çojë në gjakderdhje dhe "tragjedi masive".

Në Moskë dhe qytete të tjera, rusët dolën në rrugë të mërkurën në mbrëmje për të protestuar kundër mobilizimit të rezervistëve. Shumë prej tyre u arrestuan nga policia.