UASHINGTON (AP) - Gjykatësi i pavarur i ngarkuar me inspektimin e dokumenteve të sekuestruara në një kontroll të FBI-së në shtëpinë e ish-presidentit Donald Trump në Florida, tha të martën se ai synon të shpejtojë procesin e rishikimit. Ai u duk skeptik për hezitimin e ekipit të zotit Trump për të deklaruar nëse besonte se dokumentat ishin deklasifikuar.
"Ne do të vazhdojmë me atë që unë e quaj procesim të përgjegjshëm," u tha Raymond Dearie, një gjykatës veteran i Bruklinit, avokatëve të zotit Trump dhe Departamentit të Drejtësisë në takimin e tyre të parë që nga emërimi i tij javën e kaluar si i ashtuquajtur ekspert i posaçëm.
Qëllimi i takimit ishte të zgjidheshin hapat e ardhshëm në një proces rishikimi që pritet të ngadalësojë me javë, nëse jo muaj, hetimin penal për ruajtjen e informacionit top-sekret në Mar-a-Lago pasi Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë. Si ekspert i posaçëm, zoti Dearie do të jetë përgjegjës për të shqyrtuar mijëra dokumente të gjetura gjatë kërkimit të FBI-së më 8 gusht dhe ndarjen e veçantë të atyre që mbrohen nga ligji i privilegjit ekzekutiv ose privilegjit avokat-klient.
Megjithëse avokatët e zotit Trump kishin kërkuar caktimin e një eksperti të posaçëm për të siguruar një shqyrtim të pavarur të dokumenteve, një nga avokatët e ish-presidentit, James Trusty, e bëri të qartë se ishin të shqetësuar se afatet e propozuara nga zoti Dearie ishin shumë ambicioze.
Avokatët po i rezistojnë gjithashtu kërkesës së zotit Dearie për informacion nëse të dhënat e sekuestruara ishin deklasifikuar, siç ka deklaruar zoti Trump. Në një letër drejtuar zoti Dearie të hënën mbrëma, avokatët thanë se kjo çështje mund të ishte pjesë e mbrojtjes së zotit Trump në rast të një aktakuze.
Por zoti Dearie dukej i pakënaqur me atë qëndrim. Ai tha se nëse avokatët e zotit Trump nuk do të pohojnë në të vërtetë se të dhënat janë deklasifikuar dhe Departamenti i Drejtësisë paraqet një çështje bindëse se ato mbeten të klasifikuara, atëherë "për sa më përket mua, ky është fundi".
James Trusty tha se ekipi i Trump nuk duhet të detyrohet në këtë pikë të zbulojë një mbrojtje të mundshme bazuar në idenë se të dhënat ishin deklasifikuar. Ai mohoi që avokatët po përpiqeshin të angazhoheshin në një "lojë", por në vend të kësaj besonte se ishte një proces që kërkonte "hapa të vegjël".
Por zoti Dearie e kundërshtoi këtë argument.
Trump ka pohuar pa prova se të gjitha të dhënat janë deklasifikuar; avokatët e tij nuk i kanë bërë jehonë këtij pretendimi, megjithëse ata kanë pohuar në mënyrë të përsëritur se një president ka autoritet absolut për të deklasifikuar informacionin dhe ata thanë në një dosje të veçantë të martën se Departamenti i Drejtësisë nuk kishte provuar se të dhënat mbetën të klasifikuara.
"Si dikush që ka qenë president i Shteteve të Bashkuara, ai ka qasje të papenguar ashtu si edhe autoritetin e papenguar të deklasifikimit," tha avokati Trusty të martën.
Rezistenca ndaj kërkesës së gjyqtarit ishte e dukshme sepse ishin avokatët e zotit Trump, jo Departamenti i Drejtësisë, ata që kishin kërkuar emërimin e një eksperti të posaçëm dhe sepse mospërfillja përfshinte një pranim se hetimi mund të ndërtohej drejt një aktakuze.
Në letër, avokatët e zotit Trump thanë se koha për këtë pyetje do të ishte nëse ata do të vazhdonin me kërkesat që Departamenti i Drejtësisë të kthente disa nga pronat e marra nga Mar-a-Lago.
Ekipi i zotit Trump gjithashtu i kërkoi ekspertit të posaçëm të konsideronte shtyrjen e të gjitha afateve për shqyrtimin e dokumentave. Kjo punë përfshin inspektimin e rreth 11,000 dokumenteve, duke përfshirë rreth 100 të shënuara si të klasifikuara, që u morën gjatë kontrollit të FBI-së.
Gjyqtarja e qarkut, Aileen Cannon, një e emëruar nga zoti Trump, e cila pranoi kërkesën e ekipit Trump për një ekspert të posaçëm, kishte caktuar një afat deri në 30 nëntor për shqyrtimin e zotit Dearie dhe e udhëzoi atë që t'i jepte përparësi inspektimit të të dhënave të klasifikuara.
Departamenti i Drejtësisë i ka kërkuar një gjykate federale të apelit që të ndalojë urdhrin e gjyqtares Cannon që i kërkon departamentit t'i sigurojë atij dokumente të klasifikuara për shqyrtim. Vendimi i apelit është ende në pritje.