Çështja Trump, Dep. i Drejtësisë i kërkon apelit të lejojë shqyrtimin e dokumenteve të klasifikuara

Departamenti i Drejtësisë i kërkoi të premten një gjykate apeli që ta lejojë atë të rifillojë shqyrtimin e materialeve të klasifikuara, të sekuestruara pas kontrollit të FBI-së në rezidencën e ish-presidentit Donald Trump në Florida. Po kështu, departamenti po kërkon të hedhë poshtë atë pjesë të vendimit të një gjykate më të ulët, që i pengon prokurorët të mbështeten tek dokumentet e klasifikuara, në hetimet e tyre mbi këtë çështje.

Your browser doesn’t support HTML5

Trump, Dep. i Drejtësisë i kërkon apelit të lejojë shqyrtimin e dokumenteve të klasifikuara


Departamenti amerikan i Drejtësisë i ka kërkuar një gjykate apeli që eksperti i pavarur Raymond Dearie, i caktuar nga një gjykatë për të shqyrtuar të gjitha dokumentet e sekuestruara nga kontrolli i FBI-së në rezidencën e zotit Trump, të mos lejohet që të shqyrtojë materialet e klasifikuara.

Qeveria i kërkoi gjykatës së apelit që të marrë vendimin sa më shpejt të jetë e mundur. Padia e Departamentit të Drejtësisë vjen pas vendimit të gjyqtares Aileen Cannon të enjten, e cila hodhi poshtë të njëjtën kërkesë.

Rreth 100 dokumente të klasifikuara u gjetën mes 11,000 dosjeve të tjera qeveritare pas kontrollit të miratuar nga gjykata të rezidencës së zotit Trump nga organet e FBI-së.

Gjykatësja Cannon, e emëruar nga zoti Trump në vitin 2020, kishte thënë se do t'i kërkonte ekspertit të posaçëm që t’i jepte përparësi shqyrtimit të dokumenteve të klasifikuara, duke caktuar 30 nëntorin si afat.

Nëse apeli nuk ndryshon vendimin e gjykatëses Cannon, ekspertët thonë se ka të ngjarë që kjo do të pengonte hetimet e Departamentit të Drejtësisë.

Prokurorët po ashtu po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së akuzave për pengim të mundshëm të hetimit, pasi gjeten prova se dosjet mund të jenë zhvendosur ose fshehur kur agjentët e FBI-së shkuan në qershor në Mar-a-Lago, në përpjekje për të marrë dokumentet e klasifikuara.

Departamenti i Drejtësisë duhet të bindë gjykatën e apelit me qendër në Atlanta, e cila përbëhet nga një shumicë konservatore, ku gjashtë prej 11 gjykatëseve janë emëruar nga zoti Trump.