Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj dhjetë individëve dhe dy entiteteve të lidhur me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. Ata akuzohen për kryerje të akteve keqdashëse kibernetike, përfshirë kërcënime për publikim të dhënash në këmbim të parave, të njohura si sulme “ransomware”.
Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga Departamenti amerikan i Shtetit.
Sanksionet u vendosën në koordinim mes disa agjencive, Departamentit të Drejtësisë, atij të Thesarit, Byrosë Federale të Hetimit, “USCYBERCOM”, Agjencisë së Sigurisë Kombëtare si dhe Agjencisë mbi Sigurinë Kibernetike e të Infrastrukturës.
Incidentet “Ransomware” kanë ndërprerë shërbime me rëndësi dhe verpimtarinë e bizneseve në mbarë botën.
Agjencia e lajmeve “Reuters” shkruan se tre iranianë janë akuzuar për përpjekje për të zhvatur qindra mijëra dollarë nga organizata në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Iran dhe Izrael.
Agjencia e lajmeve “Associated Press” shkruan se për tre individë të sanksionuar rasti u paraqit në gjykatën federale në Nju Xhersi, konkretisht në Union County, e cila ishte viktimë e një sulmi kibernetik vitin e kaluar. Autorët e akuzuar mendohet se ndodhen në Iran. Një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë tha të mërkurën për “Associated Press” se akuzat e bëjnë "funksionalisht të pamundur" largimin e tyre nga Irani.
Shqiperia ka qenë një nga vendet e goditura se fundmi nga sulmet kibernetike iraniane. Të martën Sekretari amerikan i Shtetit bisedoi në telefon me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama gjatë të cilës ai “dënoi sulmin e papërgjegjshëm kibernetik të 9 shtatorit kundër sistemeve të kontrollit kufitar të Shqipërisë, i cili pason sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë më 15 korrik”.
Më 7 shtator, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike duke i dhënë stafit të ambasadës iraniane në Tiranë 24 orë kohë për tu larguar nga vendi, pasi akuzoi Teranin si autor të sulmeve kibernetike.
Në njoftimin e DASH-it thuhet se “autorët e “Ransomware” dhe kriminelë të tjerë kibernetikë synojnë bizneset dhe infrastrukturën kritike duke kërcënuar sigurinë fizike dhe ekonominë e Shteteve të Bashkuara dhe kombeve të tjera”.
“Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprime sot për të luftuar dhe parandaluar kërcënimet e ransomware”, thuhet gjithashtu në njoftim ku shtohet se janë shpërblyer tre individë që kanë dhënë informacione mbi këto aktivitete. DASH thotë se ofron 10 milionë dollarë për informacione që mund të çojnë tek identifikimi apo vendndodhja e cilitdo personi, që falë udhëzimeve apo nën kontrollin e një qeverie të huaj, merr pjesë në sulme keqdashëse kibernetike kundër SHBA-ve.