Fëmijët ukrainas rikthehen në shkolla ndërsa lufta vazhdon

Një shkollë e dëmtuar nga sulmet ruse në Slovyansk, Ukrainë (26 gusht 2022)

Megjithëse mijëra shkolla në Ukrainë janë shkatërruar nga lufta, viti i ri shkollor filloi pa shumë bujë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lesia Bakalets, megjithëse disa gjëra nuk kanë ndryshuar, fëmijët ukrainas përballen me një realitet të ri dhe të frikshëm.

Your browser doesn’t support HTML5

Fëmijët ukrainas rikthehen në shkolla ndërsa lufta vazhdon

Ministria ukrainase e Arsimit dhe Shkencës thotë se forcat ruse kanë bombarduar apo shkatërruar 2300 institucione arsimore që nga fillimi i luftës. 286 prej tyre janë shkatërruar plotësisht. Por, kjo nuk i ndali shkollat për të filluar vitin e ri shkollor.

“Filloj klasën e katërt”, thotë nxënësja Olena Savina.

Nëntëvjeçarja Olena Salvina është banore e Kievit. Asaj i pëlqen muzika, mësimet e anglishtes dhe piktura. Ajo gjithashtu e di se kur duhet të fshihet në një strehim të nëndheshëm.

“Kur dëgjoj sirenat”, thotë ajo.

Nëna e Olenas, Yulia Savina, thotë se vajza e saj donte shumë të ishte në klasë. Kështu që gjetën një shkollë që ka edhe strehim të nëndheshëm.

“Shkolla është e vogël, me vetëm dy klasa. Strehimi i nëndheshëm është rinovuar rishtazi. Është i madh dhe me mure të trasha. U lye rishtazi për fëmijët. Sistemi hidraulik dhe banjat janë bërë të reja”, thotë zonja Savina.

Olena ka edhe një çantë të posaçme për emergjencat. Policia ukrainase rekomandon që të gjithë fëmijët të kenë një çantë të tillë.

“Ka një xhaketë, ujë, ushqime – gjyshja i ka futur disa ekstra që t’i ndajë me shokët. Ka edhe një dokument identifikimi që nuk e kemi mbushur ende. Duhet të vendosim aty emrat e prindërve dhe numra telefoni”, thotë zonja Savina.

Që nga korriku, të gjitha institucionet arsimore janë inspektuar për kushtet e sigurisë. Vetëm shkollat që kanë strehime të rinovuara mund të kenë nxënës në klasa.

Dhe numri i nxënësve në shkollë varet nga përmasat e strehimit.

“Konfirmuam se 41% e shkollave të vendit janë gati dhe kanë strehimin e duhur. Mësuesit kanë mjetet për t’i mbajtur të sigurtë fëmijët që duan të shkojnë në shkollë”, tha Denys Monastyrskyi, Ministër i Brendshëm i Ukrainës.

Një shkollë në Irpin, në afërsi të Kievit, ka rreth 2000 studentë, por strehimi mund të mbajë vetëm deri në 300.

“Po mundohemi të gjejmë një zgjidhje se si do të funksionojmë. Shumica e fëmijëve, më të mëdhenjtë, do ta ndjekin mësimin nëpërmjet internetit. Për momentin, po provojmë arsimin hibrid për fëmijët më të vegjël. Ndoshta do ta ndajmë në dy turne, ose tre...”, thotë Ivan Ptashnyk, drejtor i shkollës në Irpin.

Banorja e Kievit, Oksana Kostiushko thotë se djali i saj i vogël do të ndjekë programin hibrid.

“I vogli do ketë një javë mësim në shkollë, dhe dy javë nëpërmjet internetit”, thotë ajo.

Është një zgjedhje e vështirë.

Sipas një anketimi të inspektoriatit arsimor, mbi 60% e prindërve që jetojnë ende në Ukrainë kanë vendosur që fëmijët e tyre të arsimohen në distancë.

20% nuk e kanë vendosur ende se çfarë është më mirë për fëmijët e tyre.