Pukë, frutat e pyllit pjesë e përpjekjeve ekonomike

  • Pëllumb Sulo

Your browser doesn’t support HTML5

Pukë, mbledhja e përpunimi i frutave te pyllit si mënyrë për të rritur ekonominë

Rreth 5 kilometra në afërsi të qytetit të Pukës, në fshatin Kçirë, ndodhet qendra “At Mhill Troshani", ku grumbullohen dhe përpunohen frutat e egra të pyllit. Synimi i kësaj qendre është zbutja e varfërisë përmes punës.

Si të gjithë bashkitë e vogla verilindore të Shqipërisë edhe Puka vazhdon të vuaj mungesën e vendeve të punës për shkak të ritmeve të ulëta të zhvillimit në krahasim me zonat e tjera të vendit. Dava Mhilli, banore e Pukës, thotë se duke qenë një nga zonat e Shqipërisë me sipërfaqen më të madhe me pyje, banorët e Pukës po i drejtohen gjithnjë e më shumë mbledhjes dhe përpunimit të frutave të pyllit si një mundësi për të përmirësuar ekonominë e familjeve të tyre.

“Është një mënyrë punësimi shumë e mirë për ekonominë tonë grumbullimi i frutave të pyllit, i boronicës, luleshtrylles së egër, lamponjas, manaferrës, kërpudhës”.

Dava Mhilli është një ndër punonjësit e parë në qendrën “At Mhill Troshani”. Nga viti në vit, ajo thotë se qendra është zgjeruar duke ndikuar në punësimin dhe përmirësimin e ekonomisë së familjeve të zonës, sidomos të grave.

“Kemi rreth 15 lloje reçeli dhe 7-8 lloje likeri si mentet, arre, me thanza, me lule gjaku. Pak nga pak, duke u rritur ekonomia, ka shkuar punësimi në rreth 60 - 70 dhe më shumë.”

Sabah Djaloshi, drejtuesi i shoqatës “Agro Puka”, thotë se zona ka pasuri të shumta natyrore, të cilat mund të shfrytëzohen për të nxitur punësimin dhe ndaluar emigracionin mes të rinjve.

“Problematikat në zonat e Shqipërisë verilindore dhe zonat malore të Shqipërisë janë më të theksuara në krahasim me zonat e tjera . Problemi kryesor për këtë periudhë mbetet emigracioni, kryesisht i të rinjve, i cili krijon probleme edhe lidhur me shpopullimin e zonave si rezultat edhe me mungesën e zhvillimit ekonomik të këtyre zonave”.

Përveç Pukës, shoqata e fermerëve “Agro Puka” e ka zgjeruar veprimtarinë e saj edhe në zona të tjera në verilindje të Shqipërisë, siç është Kukësi, Hasi, Fushë Arresi dhe Tropoja, duke mbështetur fermerët e varfër në rritjen e vlerës së produkteve lokale përmes përpunimit dhe tregtimit të tyre.


Kryebashkiaku i Pukës, Gjon Gjonaj, thotë se mbledhja, trajtimi dhe tregtimi i frutave të pyllit, me të cilat është e pasur zona e Pukës, sjell të ardhura financiare për familjet, por edhe ekonominë e Pukës.

“Ndër prodhimet e pyllit kemi një lloj kërpudhe që rritet vetëm në Pukë. Është e përvitshme dhe, sidomos në këtë stinë, është në prodhim intensiv. Po ashtu manaferra, boronica. Shumë qytetarë, ata që janë të lirë përsa i përket punës, bëjnë një punë jashtëzakonisht të madhe në grumbullimin dhe trajtimin e këtyre produkteve”.

Mbledhja, grumbullimi dhe përpunimi i frutave të pyllit po ndikon jo vetëm në pëmirësimin e ekonomisë dhe në punësim, por edhe një kujdes më të madh për ruajtjen e kësaj pasurie të natyrës. Kryebashkiaku Gjonaj thotë se kjo është edhe arsyeja që, ndryshe nga shumë prej bashkive të tjera të Shqipërisë, këtë vit nuk u rregjistrua asnjë rast i zjarreve në siperfaqet pyjore të Pukës.