SHBA: Departamenti i Drejtësisë, ish-presidenti Trump paraqesin emrat për ekspertin e pavarur

Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe avokatët e ish-presidentit Donald Trump kanë paraqitur një listë kandidatësh të mundshëm që mund të shërbejnë si "ekspert i pavarur" për të shqyrtuar materialet e sekuestruara nga rezidenca e zotit Trump në Florida.

Ekipet ligjore të të dyja palëve paraqitën të premten në mbrëmje emrat e kandidatëve që mund të kualifikohen për këtë detyrë. Eksperti i posaçëm është një palë e tretë e pavarur e caktuar nga një gjykatë për të shqyrtuar dokumente në çështje të ndjeshme ligjore.

Gjatë kontrollit të 8 gushtit në Mar-a-Lago të Floridas, agjentët e FBI morën afro 13,000 dokumente dhe objekte. Midis dokumenteve, më shumë se 100 ishin të klasifikuara, disa të etiketuara si "tepër sekret".

Gjykatësja Aileen Cannon urdhëroi emërimin e një eksperti të posaçëm të hënën, duke plotësuar kërkesën e ekipit të zotit Trump. Gjykatësja gjithashtu i ndaloi prokurorët të analizonin dokumentet e klasifikuara ndërsa kryhet një rishikim i pavarur, por tha se zyrtarët e zbulimit mund të vazhdojnë të përdorin të dhënat e sekuestruara për të kryer një vlerësim të sigurisë kombëtare.

Departamenti i Drejtësisë tha të enjten se nuk mund ta ndajë lehtësisht vlerësimin e sigurisë kombëtare nga puna e tij hetimore.

Departamenti i kërkoi gjykatëses të enjten të pezullonte pjesë të urdhrit të saj, duke thënë se vendimi po pengon një hetim të FBI-së për trajtimin e të dhënave të klasifikuara të mbajtura në Mar-a-Lago.