Blinken, takim me aleatët në Bruksel pas vizitës në Kiev

Pas vizitës në Ukrainë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shkoi të premten në Bruksel, duke vazhduar përpjekjet e Uashingtonit për të forcuar unitetin në një kohë kur Evropa përballet me një dimër me kosto të rritur të energjisë.

Zoti Blinken u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe ambasadorët e aleancës, të cilët i informoi për udhëtimin e tij në Kiev, gjatë të cilit ai premtoi ndihmë të re ushtarake dhe u njoh me kundërsulmin e Ukrainës ndaj forcave ruse.

Sipas agjencisë Reuters, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se vizita në Bruksel ishte pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden për të ruajtur unitetin mes vendeve evropiane.

Disa analistë thonë se reduktimet në furnizim me energji dhe rritja e kostos së jetesës me afrimin e dimrit rrezikojnë të ulin ritmin e mbështetjes perëndimore për Kievin, ndërsa qeveritë përballen me pakënaqësitë e publikut të tyre.

“Presidenti Putin mendoi se mund të ndante dhe dobësonte NATO-n. Sot, aleanca është më e fortë, më e unifikuar dhe me burime më të mira se kurrë më parë," tha zoti Blinken në një konferencë shtypi pas takimeve.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se presioni mbi furnizimet me energji dhe kostoja në rritje e jetesës do të vinin në provë “unitetin dhe solidaritetin tonë”.

“Por çmimi që ne paguajmë matet në para, ndërsa çmimi që paguajnë ukrainasit matet me jetë, jetë të humbura çdo ditë,” tha zoti Stoltenberg.

Moska ka përmendur sanksionet perëndimore dhe çështjet teknike për ndërprerjet e furnizimit me energji. Vendet evropiane që kanë mbështetur Kievin me në planin diplomatik dhe ushtarak kanë akuzuar Rusinë për përdorimin e furnizimeve me energji si armë në përballje me sanksionet perëndimore.

Ministrat e Energjisë së Bashkimit Evropian po mbajnë takim gjithashtu në Bruksel të premten nëse duhet të vendosin një kufizim për çmimet e gazit rus me shpresën se kështu do të mbrojnë qytetarët dhe bizneset nga faturat e larta të energjisë.

Zoti Blinken, gjatë qëndrimit në Poloni, tha se ishte i bindur se Evropa do të ndërmerrte veprime për të shmangur atë që ai e quajti presionin rus ndaj Evropës, përmes furnizimeve me gaz.

Qëndrimi ndaj Moskës për Ukrainën “vjen me kosto, por kostoja e mosveprimit, e mosbërjes asgjë do të ishte shumë më e madhe”, tha zoti Blinken paraditen e së premtes.