Elizabeth, monarkja që mbretëroi mbi shtatë dekada, mes ndryshimeve dramatike

Jeta e Mbretëreshës Elizabeth II ishte përkufizuar nga lufta. Kur ishte princeshë, ajo dha mesazhin e parë të transmetuar publik në kohë lufte në vitin 1940 në moshën 14 vjeçare drejtuar fëmijëve të evakuar në zonat rurale, apo në vende të tjera.

“Ne fëmijët në atdhe jemi plot gëzim dhe kurajo”, tha ajo me një kombinim stoicizmi dhe shprese që do të mbizotëronte përgjatë gjithë mbretërimit të saj. “Po bëjmë çfarë të mundemi për të ndihmuar ushtarët tanë të guximshëm, detarët dhe aviatorët. Dhe po përpiqemi gjithashtu të përballojmë pjesën tonë të rrezikut dhe të hidhërimit të luftës. E dimë, secili prej nesh, që në fund të ditës gjithçka do të jetë mirë”.

Që në 6 shkurt 1952, Elizabett mbretëroi në një Britani që u rindërtua nga lufta dhe që humbi perandorinë e saj; u bë pjesë e Bashkimit Evropian dhe në vazhdim u largua prej tij; si dhe u transformua nga një fuqi industriale në një shoqëri të pasigurtë të shekullit të 21-të. Ajo punoi me 15 kryeministra të ndryshëm, duke filluar që nga Winston Churchill dhe deri tek Liz Truss, duke u shndërruar kështu në një institucion dhe në një simbol – një pikë orientimi e palëkundur dhe një prani që ofronte garanci edhe për ata që përbuznin apo urrenin monarkinë.

Gjatë kurorëzimit në vitin 1953

Ajo u shfaq më pak në publik gjatë viteve të fundit të jetës, e detyruar nga dobësia e moshës. Megjithatë ajo vazhdoi me vendosmëri drejtimin e monarkisë dhe mbeti në epiqendër të jetës kombëtare ndërsa Britania festoi jubileun e saj me ditë të tëra ceremonish dhe paradash në qershor 2022.

Po atë muaj, ajo u bë monarkja e dytë më afatgjatë në histori, duke u radhitur pas Mbretit francez të shekullit të 17-të, Louis XIV, i cili mori fronin në moshën 4 vjeçare. Në 6 shtator 2022, ajo drejtoi një ceremoni në Kështjellën Balmoral për të pranuar dorëheqjen e Kryeministrit Boris Johnson dhe caktimin e Liz Truss si pasardhëse të tij.

Kur Elizabeth ishte 21 vjeç, pothuajse pesë vjet përpara se të bëhej mbretëreshë, ajo i premtoi popullit të Britanisë dhe territoreve dhe vendeve të tjera ku ishte kryetare shteti se "e gjithë jeta ime, qoftë e gjatë apo e shkurtër, do t'i kushtohet shërbimit për ju".

Ishte një premtim që ajo e mbajti për më shumë se shtatë dekada.

Pavarësisht nga lidhjet komplekse dhe shpesh të ngarkuara të Britanisë me ish-kolonitë e saj, Mbretëresha Elizabeth ishte gjerësisht e respektuar dhe mbeti kryetare e shtetit për mbi dymbëdhjetë vende, nga Kanadaja dhe deri në Tuvalu. Ajo drejtoi Komonuelthin prej 54 vendesh, të ngritur përreth Britanisë dhe ish-kolonive të saj.

E martuar për më shumë se 73 vjet me Princin Philip, i cili vdiq në vitin 2021 në moshën 99-vjeçare, Elizabeth ishte matriarke e një familjeje mbretërore, problemet e së cilës ishin subjekt i vëmendjes globale – të përforcuara nga versione krijimtarie si seritë televizive "The Crown". Ajo la pas katër fëmijë, tetë nipër e mbesa dhe 12 stërnipër.

Gjatë çeljes së punimeve të parlamentit në vitin 1970

Përmes ngjarjeve të panumërta publike, ajo ndoshta takoi më shumë njerëz se kushdo në histori. Portreti i saj, i cili zbukuronte pullat e postës, monedha dhe kartëmonedha, ishte ndër më të riprodhuarit në botë.

Por jeta dhe opinionet e saj të brendshme mbetën përgjithësisht enigmë. Nga personaliteti i saj, publiku pa relativisht pak. Një pronare kuajsh, ajo rrallë dukej më e lumtur se gjatë javës së garave me kuaj Royal Ascot. Ajo nuk u lodh kurrë nga shoqërimi i qenve të saj të dashur të racës corgi të Uellsit.

Elizabeth Alexandra Mary Windsor lindi në Londër më 21 prill 1926, fëmija i parë i Dukës dhe Dukeshës së Jorkut. Ajo nuk ishte e destinuar të bëhej mbretëreshë - vëllai i madh i babait të saj, Princi Eduard, ishte ai që pritej të merrte kurorën, për t'u pasuar në vazhdim nga fëmijët e tij.

Por në vitin 1936, kur ajo ishte 10 vjeç, Edward VIII abdikoi për t'u martuar me amerikanen e divorcuar dy herë Wallis Simpson, dhe babai i Elizabeth u bë Mbreti George VI.

Familja mbretërore në vitin 1937 gjatë kurorëzimit të Mbretit George VI

Princesha Margaret kujton se si kishte pyetur motrën e saj nëse kjo do të thoshte që Elizabeth një ditë do të bëhej mbretëreshë. "Po, mendoj se po", citoi Margaret të kishte thënë Elizabeth. "Ajo nuk e përmendi më".

Elizabeth ishte adoleshente kur Britania hyri në luftë me Gjermaninë në vitin 1939. Ndërsa mbreti dhe mbretëresha qëndruan në Pallatin Buckingham gjatë sulmeve dhe vizituan lagjet e bombarduara të Londrës, Elizabeth dhe Margaret kaluan pjesën më të madhe të luftës në Kështjellën Windsor në perëndim të kryeqytetit. Edhe atje, 300 bomba ranë në një park ngjitur dhe princeshat kaluan shumë netë në strehime nëntokësore.

Në vitin 1945, pas muajsh fushate për lejen e prindërve të saj për të bërë diçka për përpjekjet e luftës, trashëgimtarja e fronit mori gradë ushtarake në Shërbimin Ndihmës Territorial. Ajo me entuziazëm mësoi të drejtonte dhe të mirëmbante automjete të rënda.

Natën që lufta përfundoi në Evropë, më 8 maj 1945, ajo dhe Margaret arritën të futeshin, të panjohura, në turmat festive në Londër - "të përfshira në një valë lumturie dhe lehtësimi", siç i tha ajo BBC-së dekada më vonë, duke e përshkruar si "një nga netët më të paharrueshme të jetës sime".

Në Westminster Abbey në nëntor 1947 ajo u martua me oficerin e Marinës Mbretërore Philip Mountbatten, një princ i Greqisë dhe Danimarkës, të cilin e kishte takuar për herë të parë në vitin 1939 kur ajo ishte 13 vjeç dhe ai 18. Britania e pasluftës po përjetonte masa shtrënguese dhe ushqime me racione; dekorimet e rrugëve ishin të kufizuara dhe nuk ishte shpallur festë publike. Por nuses iu lejuan 100 kuponë shtesë për veshjen e saj.

Çifti jetoi për një kohë në Maltë, ku ishte vendosur Philip, dhe Elizabeth gëzonte një jetë pothuajse normale si bashkëshorte e një oficeri të marinës. I pari nga katër fëmijët e tyre, Princi Charles, lindi më 14 nëntor 1948. Ai u pasua nga Princesha Anne më 15 gusht 1950, Princi Andrew më 19 shkurt 1960 dhe Princi Eduard më 10 mars 1964.

Në shkurt të vitit 1952, Mbreti George VI vdiq në gjumë në moshën 56-vjeçare pas shumë vitesh dobësimi të shëndetit. Gjatë një vizite në Kenia, Elizabeth u njoftua se ishte tashmë mbretëreshë.

Sekretari i saj privat, Martin Charteris, më vonë kujtoi se kishte gjetur monarken e re në tavolinën e saj, "të ulur drejt, pa lotë, pak të skuqur, duke pranuar plotësisht fatin e saj".

"Në një farë mënyre, unë nuk kam patur praktikë", thotë Mbretëresha Elizabeth në një dokumentar të BBC-së në vitin 1992, që shpalos një pamje të rrallë të emocioneve të saj. "Babai im vdiq shumë i ri, dhe kështu ishte një diçka shumë e papritur për ta marrë përsipër dhe për të bërë punën më të mirë të mundshme".

Kurorëzimi i saj u bë më shumë se një vit më vonë, një ceremoni madhështore në Westminster Abbey i parë nga miliona njerëz përmes mjetit ende të ri - televizionit.

Reagimi i parë i Kryeministrit Winston Churchill ndaj vdekjes së mbretit ishte të ankohej se mbretëresha e re ishte "vetëm një fëmijë", por ai u bind brenda pak ditësh dhe u bë përfundimisht një admirues i flaktë i saj.

Në monarkinë kushtetuese të Britanisë, mbreti ose mbretëresha është kreu i shtetit, por ka pak pushtet të drejtpërdrejtë; në veprimet e saj zyrtare ajo bën atë që urdhëron qeveria. Megjithatë, ajo nuk ishte pa ndikim. Ajo një herë thuhet se komentoi se nuk mund të bënte asgjë ligjërisht për të bllokuar emërimin e një peshkopi, “por mund të them gjithmonë se do të doja më shumë informacion. Ky është një sinjal që kryeministrit nuk do t'i shpëtojë”.

Shtrirja e ndikimit politik të monarkut herë pas here ngjalli spekulime - por jo shumë kritika gjatë kohës që Elizabeth ishte gjallë. Pikëpamjet e Princit Charles, i cili ka shprehur mendime të forta për gjithçka, nga arkitektura dhe deri tek mjedisi, mund të rezultojnë më të diskutueshme.

Familja mbretërore në vitin 2006

Ajo ishte e detyruar të takohej çdo javë me kryeministrin dhe në përgjithësi shihej si e mirëinformuar, kërkuese dhe e njohur mirë me zhvillimet. Një përjashtim i mundshëm ishte Margaret Thatcher, marrëdhëniet me të cilën thuhej se ishin të ftohta, në mos të akullta, megjithëse asnjëra prej tyre nuk komentoi ndonjëherë.

Në vitin 2015, ajo ia kaloi mbretërimit të stërgjyshes së saj Mbretëreshës Victoria prej 63 vitesh, shtatë muajsh e dy ditësh, duke u bërë monarkja me jetëgjatësinë më të madhe në historinë britanike. Ajo vazhdoi të punonte në dekadën e saj të 10-të, megjithëse Princi Charles dhe djali i tij i madh, Princi William, gjithnjë e më shumë morën përsipër vizitat, prerjet e shiritave dhe akordimin e titujve, që përbëjnë pjesën më të madhe të detyrave mbretërore.

Humbja e bashkëshortit Philip në vitin 2021 ishte një goditje e rëndë, ndërsa ajo u ul në mënyrë prekëse e vetme në funeralin e tij në kishën në Kështjellën Windsor për shkak të kufizimeve të koronavirusit.

Nipi i mbretëreshës, Princi Harry, u largua nga Britania dhe detyrat e tij mbretërore, pasi u martua me aktoren amerikane Meghan Markle në vitin 2018. Ai pretendoi në një intervistë se disa në familje - por jo mbretëresha - nuk e kishin mirëpritur bashkëshorten e tij.

Elizabeth gëzonte shëndet të fortë deri në të 90-at, megjithëse mbajti një shkop në një paraqitje publike pas vdekjes së bashkëshortit. Në tetor 2021, ajo kaloi një natë në një spital në Londër për analiza, pasi anuloi një udhëtim për në Irlandën e Veriut.

Ajo zhvilloi takime virtuale me diplomatë dhe politikanë nga Kështjella Windsor, por daljet publike u bënë më të rralla.

Njerëzit e mbledhur përpara pallatit Buckingham (8 shtator 2022)

Ndërkohë, ajo ndërmori hapa për t'u përgatitur për tranzicionin që do të vinte. Në shkurt, mbretëresha njoftoi se donte që gruaja e Charles-it, Camilla të njihej si "Queen Consort" (Mbretëresha Bashkëshorte) kur djali i saj të bëhej mbret. Kjo hoqi një pikëpyetje mbi rolin e gruas që disa e fajësuan për prishjen e martesës së Charles-it me Princeshën Diana në vitet 1990.

Shtatë dekada pas Luftës së Dytë Botërore, Elizabeth ishte përsëri në epiqendër të vëmendjes kombëtare mes pasigurisë dhe humbjes nga COVID-19 - një sëmundje që ajo e kaloi vetë në shkurt.

Në prill 2020 - me vendin në izolim dhe kryeministrin Boris Johnson të shtruar në spital me virusin - ajo mbajti një fjalim të rrallë me video, duke u kërkuar njerëzve të qëndrojnë së bashku.

“Duhet të ngushëllohemi se, ndërsa mund të kemi akoma më shumë për të kaluar, ditë më të mira do të rikthehen. Do të jemi përsëri me miqtë tanë. Do të jemi sërish me familjet tona. Do të takohemi përsëri”, tha ajo.