Ndërron jetë Mbretëresha Elizabeth e Britanisë, Charles III monarku i ri

Mbretëresha Elizabeth, monarka më jetëgjatë e Britanisë dhe kryetarja e shtetit për shtatë dekada, vdiq në moshën 96 vjeçare, njoftoi të enjten Pallati Buckingham.

"Mbretëresha vdiq paqësisht në Balmoral sot pasdite," tha Pallati në një deklaratë.

I biri i saj, 73 vjeçari Charles, u bë automatikisht mbret i Mbretërisë së Bashkuar dhe kreu i shtetit për 14 territore të tjera, përfshirë Australinë, Kanadanë dhe Zelandën e Re. Ai do të njihet si Mbreti Charles III . Bashkëshortja e tij , Camilla, do të njihet si Mbretëresha Bashkëshorte.

Në një deklaratë, Charles e quajti vdekjen e nënës së tij "një moment trishtimi të jashtëzakonshëm për mua dhe të gjithë anëtarët e familjes sime", duke shtuar:

"E di që humbja e saj do të ndihet thellësisht në të gjithë vendin, Mbretërinë, dhe nga njerëz të panumërt në mbarë botën."

Lajmet se gjendja shëndetësore e mbretëreshës po keqësohej, filluan të dalin pak pas mesditës të enjten kur mjekët e saj thanë se ajo ishte nën mbikqyrje mjekësore, duke bërë që familja e saj të nxitonte që të ishte pranë saj në rezidencën e saj në Skoci, Balmoral.

Që nga fundi i vitit të kaluar, mbretëresha kishte vuajtur nga "probleme episodike lëvizjeje", gjë që e detyroi të tërhiqej nga pothuajse të gjitha angazhimet e saj publike.

Paraqitja e saj e fundit publike ishte të martën, kur ajo emëroi kryeministren e re, Liz Truss.

Zonja Truss, tha se vendi "ishte thellësisht i trishtuar" dhe e quajti Mbretëreshën Elizabeth "themelin mbi të cilin u ndërtua Britania moderne."

Në pallatet mbretërore dhe godinat qeveritare në gjithë Londrën, flamuri u ul në gjysmë shtizë.

Ndryshimi në monarki, vjen në një moment të vështirë për Britaninë, e cila ka një kryeministre të re dhe po përballet me një krizë energjie, inflacion të lartë, luftën në Ukrainë dhe pasojat nga Brexit.

Qytetarët britanikë jashtë Pallatit Buckingham qanë kur zyrtarët vendosën një njoftim që konfirmonte vdekjen e mbretëreshës në portat prej hekuri të shtëpisë së mbretëreshës në Londër. dhe vendosën dhjetëra buqeta shumëngjyrëshe te portat.

Edhe udhëheqësit botërorë shprehën ngushëllime dhe nderuan mbretëreshën.

Në Kanada, ku monarku britanik është kreu i shtetit të vendit, kryeministri Justin Trudeau vlerësoi "urtësinë, dhembshurinë dhe ngrohtësinë e saj".

Në Indi, dikur pjesë e perandorisë britanike, kryeministri Narendra Modi shkroi në Twitter: "Ajo personifikoi dinjitetin në jetën publike. I trishtuar nga vdekja e saj."

Presidenti amerikan Joe Biden e quajti atë një "grua shteti me dinjitet dhe qëndrueshmëri të pakrahasueshme që thelloi aleancën midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara."