Steve Bannon deklaron pafajësinë lidhur me akuzat për mashtrime me dhurimet për ngritjen e një muri me Meksikën

Ish-aleati për një kohë të gjatë i ish-presidentit Donald Trump, Steve Bannon, deklaroi të enjten pafajësinë ndaj akuzave për mashtrimin e donatorëve që dhanë para për të ndërtuar një mur në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.

Akuzat e ngritura nga prokurorët e Nju Jorkut, janë një rifillim në nivel shtetëror i një çështjeje federale e ndërprerë vitin e kaluar nga një falje presidenciale.

Zoti Bannon, 68 vjeç, u la i lirë pa kusht pasi avokati i tij David Schoen paraqiti deklaratën e tij për pafajësi.
Ai është personi i dytë që ishte falur nga ish-presidenti Trump dhe i akuzuar më vonë nga zyra e prokurorit të qarkut të Manhatanit për të çështje.
"Është e gjitha marrëzi. Ata kurrë nuk do të mund të më mbyllin gojën," tha zoti Bannon ndërsa po largohej nga gjykata.

Ai ishte vetëdorëzuar të enjten tek autoritetet në Nju Jork për t'u përballur me akuzat e reja se ka mashtruar donatorët që dhanë fonde për të ndërtuar një mur në kufirin SHBA-Meksikë.

Akuzat e shtetit të Nju Jorkut ndaj zotit Bannon pritet të ngjajnë shumë me një përpjekje tjetër për ndjekje penale nga gjykatat në nivel federal, që u ndërpre përpara se ai të dilte në gjyq, kur ish presidenti Trump e fali zotin Bannon në ditën e tij të fundit në detyrë. Në atë çështje gjyqësore, zoti Bannon u akuzua se kishte përvetësuar më shumë se 1 milion dollarë. Faljet presidenciale zbatohen vetëm për krimet federale, jo për shkeljet shtetërore.

Steve Bannon, 68 vjeç, mbërriti në zyrën e prokurorit të qarkut në Manhatan pak pas orës 9 të mëngjesit të së enjtes. Ai e kishte pranuar në një deklaratë të martën se ndaj tij do të ngriheshin së shpejti akuza.

Zoti Bannon tha më herët se Prokurori i Qarkut Alvin Bragg "ka vendosur tani të ndjekë akuza të rreme kundër meje 60 ditë përpara zgjedhjeve për në Kongres", duke e akuzuar prokurorin demokrat se e ka vënë në shënjestër pasi emisionet e tij në radio ndiqen mes mbështetësve rpublikanë të ish presidentit Trump.

Zoti Bannon tha se prokurorët federalë “bënë të njëjtën gjë në gusht të vitit 2020 për të më larguar nga zgjedhjet”, duke iu referuar arrestimit të tij disa muaj përpara humbjes së zotit Trump në zgjedhje. “Ky nuk është gjë tjetër veçse një armatim politik partiak i sistemit të drejtësisë penale.

Prokurori Bragg dhe Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James do të zhvillojnë një konferencë për shtyp për të shpallur akuzat kundër zotit Bannon.

Në vitin 2020, agjentët federalë e gjetën zotin Bannon në një jaht luksoz në brigjet e shtetit të Konektikatit dhe e arrestuan nën akuzën se kishte përvetësuar më shumë se 1 milion dollarë nga donacionet e dhëna për ndërtimin e një muri në kufirin SHBA-Meksikë. Prokurorët pretenduan se mijëra investitorë u mashtruan duke menduar se të gjitha donacionet e tyre do të shkonin për projektin e murit kufitar, megjithëse zoti Bannon në vend të kësaj i përdori fondet për të paguar një zyrtar të fushatës dhe për shpenzime personale.

Ndërsa muri i propozuar nga zoti Bannon do të ndërtohej në kufirin jugor të SHBA-së, më shumë se 1600 kilometra nga Nju Jorku, prokurorët e Manhatanit kanë juridiksion për të ndjekur akuzat kundër zotit Bannon, sepse disa donatorë jetojnë në Nju Jork.