Pakistanezë të përfshirë në kontrabandimin e migrantëve nga Greqia drejt Shqipërisë

  • Raimond Kola

Policia e Gjirokastrës tha të enjten se arrestoi tre shtetas nga Pakistani, që dyshohen si organizator të trafikut të disa grupeve të migrantëve të parregullt që hyjnë nga Greqia dhe e përdorin Shqipërinë si vend tranzit për të kaluar drejt vendeve evropiane.

Sipas policisë së Gjirokatrës ”nga hetimet paraprake rezulton se këta shtetas së bashku edhe me 6 shtetas shqiptarë, tashmë të arrestuar, realizonin kalimin e migrantëve të parregullt nga kufiri i gjelbër shqiptaro -grek kundrejt përfitimeve monetare, që varionin nga 350 euro deri në 1500 euro për person”.

Ky është rasti i tretë në dhjetë ditët e fundit kur policia kufitare e Gjirokastrës dhe roja evropiane e kufijve FRONTEX zbulojnë shtetas të huaj nga Pakistani të përfshirë në kontrabandimin e migrantëve.

Në rreth 37 operacione kundër kontrabandistëve të ndërmarra në kufirin jugor të Shqipërisë me Greqinë gjatë këtij viti pjesa dërmuese e të arrestuarve kanë qenë shqiptarë, dhe në një rast edhe nga Kosova.

Migrantët e huaj që depërtojnë nga territori grek në Shqipëri udhëtojnë drejt Malit të Zi për të kaluar në vendet evropiane në të ashtuquajturën “’Rruga ballkanike” e kalimit të të huajve të parregullt.

Sipas të dhënave të Policisë kufitare të Gjirokastrës vetëm tetë muajt e fundit në këtë zonë kufitare me Greqinë kanë hyrë rreth 2mijë migrant të parregullt.

Pjesa dërmuese e migrantëve kryesisht nga Bangladeshi, Afganistani dhe Pakistani janë rikthyer pas drejt territorit grek nga policia shqiptare mbi bazë të një marrëveshje të ripranimti që të dy vendet kanë firmosur.

Sipas të dhënave zyrtare vetëm një numër i vogël migrantësh është referuar nga oficerët kufitarë të migracionit për azil në Shqipëri , kryesisht familje me gra, apo fëmijë të pashoqëruar.

Rastet e mëprshme kanë treguar se edhe kjo kategori migrantësh nuk integrohet në jetën shqiptare por e përdor azilin si një mjet për të qëndruar në Shqipëri për pak kohë deri në kalimin drejt vendeve të tjera evropiane .