Putin-Xi plane për takim në Uzbekistan

Russia's President Vladimir Putin (L) with Chinese President Xi Jinping

Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai kinez Xi Jinping pritet të takohen javën e ardhshme në Uzbekistan, bëri të ditur të mërkurën ambasadori rus në Kinë Andrei Denisov. Njoftimi i takimit të nivelit të lartë shihet si një tjetër sinjal drejt ngrohjes së lidhjeve mes dy fuqive, që i janë kundërvënë gjithnjë e më shumë Perëndimit.

Takimi në kuadër të Organizatës së Shangait për Bashkëpunim, një forum politik, ekonomik dhe mbi çështje të sigurisë, dominuar nga Kina dhe Rusia, vjen në momente delikate për të dy udhëheqësit.

Presidenti Putin po përballet me pasojat ekonomike dhe politike të luftës në Ukrainë, gjë që e ka lënë Rusinë më të izoluar. Presidenti Xi po përballet gjithashtu me një ngadalësim të ekonomisë së vendit ndërsa po kërkon një mandat të tretë pesëvjeçar si udhëheqës i Partisë Komuniste. Të dy udhëheqësit janë përballur me një përkeqësim të marrëdhënieve të vendeve të tyre me Perëndimin.

Ambasadori Denisov u tha gazetarëve se Putin-Xi do të takohen në Samarkandit të Uzbekistanit më 15-16 shtator.

"Po përgatitemi në mënyrë aktive për të (takimin)", tha zoti Denisov sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve ‘Tass’.

Nëse zhvillohet, vizita në Uzbekistan, do të shënonte udhëtimin e parë jashtë vendit për presidentin Xi në 2 vjet e gjysmë. Që nga fillimi i shpërthimit të COVID-19 në fund të vitit 2019 ai ka dalë vetëm një herë nga Kina, për një vizitë njëditore në qytetin gjysmë autonom të Hong Kongut.

Gjatë një konference për shtyp të mërkurën ministri i Jashtëm kinez Mao Ning nuk pranoi të japë asnjë informacion mbi udhëtimin e presidentit Shi për në Uzbekistan.

Moska dhe Pekini i kanë përafruar gjithnjë e më shumë politikat e tyre të jashtme për t'iu kundërvënë forcave liberale demokratike në Azi, Evropë dhe më gjerë.