Policia kanadeze në kërkim të dy personave, pas 10 viktimave nga sulmet me thika

Dy persona të dyshuar për vrasjen e 10 vetave gjatë sulmeve me thikë që kanë tronditur një komunitet indigjen në Kanada ishin ende në kërkim të hënën, ndërsa policia mundohej të përcaktonte motivin për sulmet që tronditën vendin ku incidentet e dhunshme në masë janë të rralla.

Policia është në kërkim të 31-vjeçarit Damien Sanderson dhe 30-vjeçarit Myles Sanderson, pasi mendohet se ata goditën me thika njerëz në 13 zona të ndryshme në një komunitet indigjenësh dhe provincat përreth të dielën. Të paktën 15 persona të tjerë u plagosën.

Sulmet në provincën Saskatchewan ishin nga më vdekjeprurëset në historinë moderne të Kanadasë. Një deklaratë e udhëheqësve indigjenë sugjeron se sulmet mund të kenë patur lidhje me drogën. Policia tha se disa nga viktimat duket se kanë qenë objektivi, ndërsa të tjerë duket se kanë qenë të rastësishëm.

Policia ka siguruar fotot e dy personave, të cilët sipas saj janë të armatosur dhe të rrezikshëm. Ata po udhëtonin me një Nissan Rogue të zi dhe u panë në qytetin Regina, rreth 320 km në jug të vendeve ku ishin bërë sulmet në James Smith Cree Nation dhe fshatin Weldon, tha policia.

Të dyshuarit ka të ngjarë të ishin në Regina, tha shefi i policisë së qytetit, Evan Bray, në një video në Twitter të dielën vonë. Por autoritetet kanë paralajmëruar se nuk ishte e qartë se ku mund të shkonin apo nëse kishin ndërruar automjete.

Banorët indigjenë përbëjnë më pak se 5% të popullsisë së Kanadasë prej rreth 38 milionë banorësh dhe vuajnë nga nivele më të larta të varfërisë dhe papunësisë se kanadezët e tjerë dhe gjithashtu kanë një jetëgjatësi më të shkurtër.

Kryeministri Justin Trudeau tha se qeveria e tij kishte qenë në komunikim të drejtpërdrejtë me drejtuesit e komunitetit James Smith Cree Nation, duke shtuar se, "jemi të gatshëm të ndihmojmë në çdo mënyrë që mundemi".

James Smith Cree Nation është një komunitet indigjen me një popullsi prej rreth 3,400 personash të angazhuar kryesisht në bujqësi, gjueti dhe peshkim. Weldon është një fshat me rreth 200 banorë.

Kryesia e zgjedhur e këtij komuniteti shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Policia u kërkoi banorëve të raportojnë çdo person të dyshimtë dhe të marrin masa paraprake, përfshirë strehimin në një vend të sigurtë, ndërsa paralajmëruan kundër marrjes në makinë të udhëtarëve të rastësishëm apo kontaktit me persona të dyshimtë.

"Mos u largoni nga vendet e sigurta. Kini kujdes kur lejoni të tjerë të hyjnë në banesën tuaj", thuhet në një udhëzim të policisë.