SHBA, BE akuzojnë Rusinë se po përdor furnizimin me energji si armë

Tubacionet e gazit në Lubmin, Gjermani

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë akuzoi të hënën Rusinë se po përdor energjinë si armë pasi ndaloi rrjedhën e gazit përmes gazsjellësit Nord Stream 1 dhe tha se sanksionet amerikane ndaj Moskës nuk e pengojnë funksionimin e këtij gazjellësi, që është furnizuesi kryesor i Evropës.

"Rusia po përdor energjinë si armë dhe po zgjedh të mbyllë tubacionin," tha zyrtari. Rusia fajësoi sanksionet perëndimore për problemet e furnizimit me gaz.

"SHBA dhe Evropa kanë bashkëpunuar për të siguruar sasi të mjaftueshme gazi. Si rezultat i këtyre përpjekjeve, Evropa do të ketë furnizim të plotë deri në sezonin kritik të ngrohjes dimërore. Kemi më shumë punë për të bërë", tha zyrtari.

Një punonjës kalon përpara tubacionit të Nord Stream 2 në Chelyabinsk, Rusi

Edhe Evropa e ka akuzuar Rusinë se po përdor furnizimin me energji si armë, në shenjë hakmarrjeje për sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Moskës.

Çmimet e gazit në Evropë u rritën, çmimet e aksioneve ranë ashtu si edhe vlera e Euros të hënën pasi Rusia ndaloi pompimin e gazit përmes gazsjellësit Nord Stream 1.