Administrata e Presidentit Biden njoftoi të premten se do t’i shesë Tajvanit armë me vlerën e mbi 1 miliard dollarëve, ndërsa përshkallëzohen tensionet SHBA-Kinë për statusin e ishullit.
Marrëveshja prej 1.09 miliardë dollarësh përfshin 355 milionë dollarë për raketat ajër-det “Harpoon” dhe 85 milionë dollarë për raketat ajër-ajër “Sidewinder”, tha Departamenti i Shtetit.
Megjithatë, pjesa më e madhe e parave, rreth 655 milionë dollarë, do të përdoren për blerjen e radarëve për survejim, për sistemin paralajmërues të mbrojtjes ajrore të Tajvanit. Sistemet e paralajmërimit të hershëm të mbrojtjes ajrore janë bërë më të rëndësishme pas shtimit nga Kina të stërvitjeve ushtarake pranë Tajvanit, të cilin e konsideron si një provincë të saj.
Departamenti i Shtetit tha se pajisjet janë të nevojshme që Tajvani "të ruajë aftësitë e mjaftueshme vetëmbrojtëse". Administrata e presidentit Biden njoftoi për këtë Kongresin të premten në mbrëmje.
Administrata e Presidentit Biden tha se marrëveshja për shitjen e armëve përputhet me politikën "Një Kinë" të Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni i bëri thirrje Pekinit që "t’i jap fund trysnisë ushtarake, diplomatike dhe ekonomike ndaj Tajvanit dhe të angazhohet në dialog kuptimplotë me Tajvanin".
Laura Rosenberger, zyrtare e lartë e Shtëpisë së Bardhë për marrëdhëniet me Kinën dhe Tajvanin, tha të premten vonë se ndërsa Pekini “vazhdon të rrisë trysninë mbi Tajvanin, duke përfshirë rritjen e pranisë ushtarake ajrore dhe detare rreth ishullit, dhe po angazhohet në përpjekje për të ndryshuar status quo-në në ngushticën e Tajvanit. Ne po i ofrojmë Tajvanit gjërat që i nevojitet për të ruajtur aftësitë e tij vetëmbrojtëse.”
Acarimi dhe retorika e ashpër midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës rreth Tajvanit janë rritur ndjeshëm që kur kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi vizitoi ishullin muajin e kaluar. Që nga udhëtimi i zonjës Pelosi në Taipei, janë zhvilluar të paktën dy vizita të tjera nga anëtarë të Kongresit dhe disa vizita nga guvernatorë të shteteve amerikane, që janë dënuar nga Kina.
Të enjten, ushtria e Tajvanit tha se rrëzoi një dron që po fluturonte mbi një nga pikat e saj mbrojtëse të territorit të tij pranë brigjeve kineze në një incident që nënvizoi tensionet në rritje. Një ditë më parë, Tajvani tha se kishte paralajmëruar dronët që fluturonin mbi tre ishujt që i kontrollon në brigjet e qytetit port kinez të Xiamenit.
Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj, dhe mund të aneksohet me forcë nëse është e nevojshme. Tajvani u shkëput nga Kina pas një lufte civile në vitin 1949 dhe nuk ka marrëdhënie zyrtare me Kinën. Pekini ndërpreu edhe kontaktet jozyrtare me ishullin pas fitores së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 nga Tsai Ing-wen, një politikane me prirje pro-pavarësisë së Tajvanit.
Administrata e presidentes Tsai ka bërë fushatë për forcimin e mbrojtjes kundër dronëve, si pjesë e një rritjeje prej 12.9% të buxhetit vjetor të Ministrisë së Mbrojtjes për vitin të ardhshëm. Kjo do të rriste shpenzimet ushtarake të Tajvanit me 1.6 miliardë dollarë shtesë, duke e çuar totalin vjetor në 13.8 miliardë dollarë.
Shtetet e Bashkuara i kanë quajtur stërvitjet kineze muajin e kaluar një reagim i tepruar dhe u përgjigjën duke dërguar dy luftanije të pajisura me raketa me vetëdrejtim për një parakalim në ngushticën e Tajvanit, të cilin Kina e ka shpallur si territor të saj.