Nga orët e para të së enjtes, në vendkalimin kufitar në Merdarë që lidh Kosovën me Serbinë, qytetarët nga të dyja anët po e kalojnë kufirin vetëm me karta të identitetit. Autoritetet serbe kanë ndaluar lëshimin e dokumentit për hyrje dalje për shtetasit e Kosovës, pas rreth 11 vjetësh, ndërsa Kosova hoqi dorë nga synimi për të vendosur masat reciproke për këtë çështje.
“Kaluam shkëlqyeshëm, shumë më mirë nga sa e mendoja, janë shumë të kulturuar dhe të këndshëm, është mirë”, tha Branislav Berçan, një shtetas i Serbisë që kaloi kufirin në Merdarë të enjten.
“Këtu mua më ka ndodhur ta them të vërtetën që 13 orë kam pritur para tri vitesh për të hyrë nga Serbia në Kosovë, tash sa vite e pamundur ka qenë të mos presim tri apo katër orë për të hyrë në Kosovë, por edhe dalja nga Kosova ka qenë e njëjtë. Kjo do të thotë është një lehtësim shumë, shumë i mirë për neve dhe shpresoj që do të funksionojë”, thotë Ragip Imeri, një qytetar i cili ka vite që kalon nëpër këtë vendkalim kufitar.
Autoritetet serbe kanë vendosur njoftime në vendkalimet kufitare në të cilat thuhet se mundësimi i kalimit të kufirit me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova bëhet “për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, bazuar në Marrëveshjen për lëvizje të lirë, por kjo nuk e paragjykon statusin politik të Kosovës.
Dakordimi i së shtunës në Bruksel, pasoi një periudhë përpjekjesh diplomatike amerikane dhe evropiane për të shmangur tensionet në terren që shpërthyen më 31 korrik pas reagimeve serbe ndaj vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës, një veprim që zbatohet nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi tash e rreth 11 vjet me radhë.
Lexoni edhe këtë Borrell: Kosova dhe Serbia bien dakord për dokumentet e identifikimitAmbasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, mirëpriti sic shkroi në Tëitter, “fillimin e qetë të zbatimit të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mbi dokumentet për hyrje - dalje. Liria e lëvizjes është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen e ndërsjellë në qendër. Presim të shohim përparim në çështjet tjera në muajt në vazhdim”.
Nga sot rrjedh afati dy muajsh për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serbw që përdorin targa të lëshuara nga Serbia me akronimet e qyteteve të Kosovës të kohës së Jugosllavisë. Me vendimin e qeverisë përdoruesit e këtyre targave duhet t’i kthejnë në ato të Republikës së Kosovës RKS.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje të enjten qytetarëve serbë në Kosovë që të shfrytëzojnë këtë periudhë për konvertimin e targave.
“Targat e lëshuara nga Serbia PR, KM, PZ, GL, UR dhe PE janë trashëgimi e (Slobodan) Millosheviçit. Kjo trashëgimi është barrë që nuk do të duhej ta mbani ju. Përveç kësaj, ajo po synon t’ju mbajë në të kaluarën dhe të izoluar. Konvertimi në targa RKS eliminon këtë barrë dhe ju siguron lëvizje të lirë, të pa penguar dhe pa paragjykime në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Kurti një video-mesazh në gjuhën serbe.
Vendimi kundërshtohet nga Beogradi. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Serbia arriti më të mirën e mundshme nga marrëveshja me Prishtinën për dokumentet e identifikimit, ndërsa duke komentuar paralajmërimet e kryeministrit Kurti lidhur me targat e makinave tha se “ai dëshiron konflikte dhe probleme të vazhdueshme”.
"Nuk shoh ndonjë zgjidhje në këtë moment dhe me një shtator ata (autoritetet e Kosovws) do të vazhdojnë fushatën e tyre dhe do të provojnë t’i detyrojnë serbët që jetojnë në Kosovë t’i ndryshojnë targat e makinave. Nuk mendoj se do të kenë sukses në këtë gjë. Kurti ka thënë gjatë bisedimeve në Bruksel se beson që do të arrijë sukses të madh dhe se është i sigurt që serbët do të pranojnë idenë e tij për të zëvendësuar targat 'KM', do të shohim”, ka thënë presidenti Vuçiç.
Në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, përgjatë ditës janë parë disa afishe në kundërshtim të zbatimit të marrëveshjes për dokumentet e identifikimit dhe paralajmërimit për konvertimin e targave.
Bashkimi Evropian tha të enjten se Prishtina duhet t’i japë kohë të mjaftueshme zbatimit të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato të Kosovës. “Është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani dhe që ai të jetë i përgatitur dhe të zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët që preken nga vendimi, në linjë me praktikat e mira evropiane”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian, siç transmeton agjencia e lajmeve Reuters.
BE-ja shpreson që palët do të arrijnë një pajtim rreth targave të makinave sipas marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet në Bruksel, të cilat synojnë të sigurojnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që është kusht për integrimet evropiane.
Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe shumicës se vendeve perëndimore, por kundërshtohet nga Serbia e cila llogaritë në përkrahjen e Moskës dhe Pekinit.
Serbia është vendi i vetëm evropian që nuk i ka vene sanksione Rusisë për agresionin e saj në Ukrainë.