Kievi njoftoi të martën për luftime intensive në të gjithë rajonin jugor Kherson, nën kontrollin e Rusisë, ndërsa tha se trupat ukrainase vazhduan kundër-ofensivën "në drejtime të ndryshme".
Pjesa më e madhe e rajonit të Khersonit në kufi me Detin e Zi -- dhe kryeqyteti i tij rajonal me të njëjtin emër -- u morën nën kontroll nga forcat ruse kur filloi agresioni gjashtë muaj më parë.
Zyra e presidentit të Ukrainës tha se shpërthime të fuqishme kanë vazhduar gjatë gjithë ditës dhe natës në territorin e Khersonit dhe se forcat ukrainase ndërmorën sulme në drejtime të ndryshme.
Në fjalimin e tij të mbrëmjes të hënën, presidenti Volodymyr Zelensky nuk dha detaje për strategjinë e Ukrainës, por përdori një ton sfidues ndaj Rusisë, duke thënë se nëse duan të mbijetojnë, ushtarët rusë duhet të largohen.
Ndërkohë Ministria ruse e Mbrojtjes tha se Ukraina pësoi një "humbje në shkallë të gjerë", duke thënë se 1200 ushtarë të saj u vranë dhe dhjetëra pajisje ushtarake u shkatërruan gjatë sulmit të saj në jug, që Moska e quajti të dështuar.
Ministria e mbrojtjes e Britanisë paralajmëroi se që nga fillimi i gushtit, Rusia ka bërë "përpjekje të rëndësishme" për të përforcuar trupat në bregun perëndimor të lumit Dnipro që ndan qytetin e Khersonit.
Por presidenca ukrainase pretendoi se forcat e saj kishin shkatërruar "pothuajse të gjitha urat e mëdha" dhe se "kanë mbetur vetëm vendkalimet për këmbësorët" në rajon.