Lufta në Ukrainë dhe ndikimi rus në Ballkan

Tradicionalisht Ballkani ka qënë objektiv i Rusisë për të shtrirë sferën e influencës. Por analistët thonë se lufta në Ukrainë i ka shtuar aktivitet e Moskës për të ripërtërirë ndikimin në Ballkan duke shfrytëzuar varësinë ekonomike dhe lidhjet e rëndësishme historike, kulturore dhe fetare. Zëri i Amerikës mori mendimin e dy analistëve të çështjeve evropiane lidhur me ndikimin rus në Ballkan, Dr. Andi Hoxhaj me Universitetin Warwick në Britaninë e Madhe dhe Dr. Adrian Brisku me Universitetin Çarls në Republikën Çeke.

Your browser doesn’t support HTML5

Lufta në Ukrainë dhe ndikimi rus në Ballkan

Një kundërshtare e ashpër e anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian të vendeve të ish-Jugosllavisë, Rusia po luan një rol drestruktiv në Ballkan, thonë analistët. Propaganda ruse ka gjetur strehë në Serbi ndërsa ekonomia e atij vendi varet nga gazi rus.

“Rusia ka një ndikim të madh në Serbi, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë. Kryesisht në Serbi ata (Rusia) kanë gati 100% të gazit, duke ushtruar influencë. Kanë investim të madh edhe në fusha të tjera si telekomunikacioni dhe infrastruktura”, thotë për Zërin e Amerikës Dr. Andi Hoxhaj me Universitetin Warwick në Britaninë e Madhe.

Megjithëse investimet e Bashkimit Evropian janë shumë herë më të mëdha, Rusia vazhdon të ketë një influencë shekullore kulturore dhe politike, që ka dalë në pah edhe më shumë pas agresionit rus në Ukrainë, thotë zoti Hoxhaj.

Rusia jep bursa pa fund. Madje edhe në Shqipëri ka dhënë deri në 50 bursa për të studiuar në Moskë - Dr. Andi Hoxhaj

“Përtej influencës që ata kanë, sidomos Rusia, apo tani kemi edhe Kinën si lojtar, këto vende kanë shtuar fuqinë e butë. Bashkimi Evropian nuk është treguar shumë i vëmendshëm ndaj këtij mekanizmi. Rusia jep bursa pa fund. Madje edhe në Shqipëri ka dhënë deri në 50 bursa për të studiuar në Moskë. Në qoftë se i krahasojmë, Britania e Madhe, jo më pak se para dy vjetësh, vetëm katër bursa jepte. Gjithashtu edhe Fullbright-i. Por tani (vendet perëndimore) janë rizgjuar pas luftës (në Ukrainë) dhe po i kushtojnë më shumë vëmendje”.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës Dr. Adrian Brisku me Universitetin Çarls në Republikën Çeke, thotë se në aspektin gjeopolitik Rusia ka ndjekur për shumë dekada një politikë të jashtme aktive, sidomos pas ardhjes në pushtet të presidentit rus Vladimir Putin, duke vënë në shënjestër vende të caktuara.

“Ato ndikime, apo preferenca, janë për Serbinë apo Republikën Serbska. Ky ndikim tani është shtuar më shumë për këto dy shtete në Ballkanin Perëndimor”.

Një aleate e vjetër e Rusisë, Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Kremlinit, ndonëse thekson synimin për t’u bërë anëtare e Bashkimi Evropian.

“Presidenti Vuçiç ka qënë deri diku i favorizuar për sa i përket mbajtjes së qëndrimit midis Moskës dhe BE-së, për shkak se shumë nga vendet e Bashkimit Evropian kanë mbajtur një qëndrim të butë ndaj Moskës. Kjo doli në pah pas luftës në Ukrainë ku shumë vende të BE-së nuk donin që Rusisë t’i viheshin sanskione të forta. ‘Miqtë’ në Bashkimin Evropian e kanë mundësuar Vuçiçin që të mbajë këto dy pozicione”, thotë për Zërin e Amerikës Dr. Andi Hoxhaj.

Hulumtuesi Adrian Brisku thotë për Zërin e Amerikës se Presidenti Aleksandar Vuçiç po ndjek politikën e vjetër të ish-Jugosllavisë me dy kahje, drejt Lindjes dhe Perëndimit, ndërsa lufta në Ukrainë ka shtuar vëmendjen e demokracive perëndimore ndaj Ballkanit.

“Franca bëri një lëvizje qendrore në ecjen e shpejtë të hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që kishin ngecur. Kjo tregon vëmendjen e Bashkimit Evropian për perspektivën për të mos lënë një boshllëk gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor, duke adresuar kritikat ndaj bllokut por edhe ndaj Shteteve të Bashkuara. Kjo në njëfarë mënyre ka zgjuar këtë interes sepse nuk është vetëm Rusia në fakt por është edhe Kina dhe kjo shihet si një garë”, thotë zoti Brisku.

“Investimet e Kinës janë kryesisht në aeroporte, telekomunikacion, hekurudha, rrugë dhe janë shtirë pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përjashtuar Shqipërinë dhe Kosovën. Turqia së bashku me Emiratet e Bashkuara kanë filluar të investojnë, jo vetëm në fushat kulturore por edhe në sektorë strategjikë, sidomos në telekomunikacion dhe infrastrukturë, këtu bëhet fjalë për Shqipërinë”, thotë për Zërin e Amerikës zoti Hoxhaj.

Dr. Adrian Brisku, me Departamentin e Studimeve Ruse dhe të Evropës Lindore në Universitetin Çarls të Republikës Çeke thotë se propaganda dhe dezinformimi po luajnë rol.

Në vitin 2020 Vuçiçi e pranoi ndikimin e madh që ka Sputniku, si një nga rrjetet mediatike të fuqishme në Serbi - Dr Adrian Brisku

“I vetmi ndikim i madh që ka Rusia është ndikimi gjeopolitik dhe instrumentet hibride si fushatat e dezinformimit. Në vitin 2020 Vuçiçi e pranoi ndikimin e madh që ka Sputniku, si një nga rrjetet mediatike të fuqishme në Serbi, që luan rolin e krijimit të qasjeve alternative përkundrejt politikës së Bashkimit Evropian”.

Përpjekjet në Ballkan, duke patur parasyshë tensionet e fundit në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, janë pjesë e një lufte hibride, thonë analistët, dhe një rol të madh po luan dezinformimi i opinionit publik, në disa raste nga figura të larta të politikës.