Siç pritej, tenisti Novak Djokovic nuk do të marrë pjesë në turneun U.S. Open, pasi nuk është i vaksinuar për COVID-19 dhe për rrjedhojë nuk i lejohet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara.
Zoti Djokovic njoftoi të enjten nëpërmjet Twitter-it tërheqjen nga turneu i fundit i rëndësishëm i këtij viti, pak orë përpara se të bëhej publik shorteu i lojërave.
“Fatkeqësisht, nuk do të mundem të udhëtoj drejt Nju Jorkut këtë herë për US Open”, shkruajti zoti Djokovic, duke i uruar fat kolegëve të tij dhe duke thënë se do të “ruante formën e mirë dhe frymën pozitive dhe do të priste për një mundësi për të konkuruar sërish”.
Lojërat pritet të fillojnë të hënën në Flushing Meadows.
Tenisti 35-vjeçar nga Serbia ka fituar 21 kampionate të rëndësishme, dhe mban rekordin për meshkujt, i pasuar nga Rafael Nadal, me një kampionat më pak. Tre nga trofetë madhore të tij janë marrë në US Open, në vitet 2011, 2015 dhe 2018.
Ai gjithashtu ka qenë nënkampion disa herë, përfshirë sezonin e kaluar, kur humbi në finale përballë Daniil Medvedevit.
Shtetasit e huaj që nuk janë vaksinuar kundër COVID-19 aktualisht nuk janë në gjendje të hyjnë në Shtetet e Bashkuara ose në Kanada dhe zoti Djokovic ka thënë se nuk do të vaksinohet, edhe nëse kjo e pengon të marrë pjesë në disa turne të caktuara.
Shoqata amerikane e Tenisit ka thënë vazhdimisht se do të ndjekë rregullat e qeverisë për statusin e vaksinimit për turneun e këtij viti. Nuk ka ndonjë urdhëresë në fuqi për vaksinimin në turne të lojtarëve apo ekipeve të tyre mbështetëse - që do të thotë se një amerikani të pavaksinuar do t’i lejohet të konkurrojë - dhe spektatorëve nuk do t'u kërkohet të mbajnë maska.
"Novak është një kampion i madh dhe është shumë për të ardhur keq që ai nuk do të jetë në gjendje të konkurrojë në US Open 2022, pasi ai nuk është në gjendje të hyjë në vend për shkak të politikës së vaksinimit të qeverisë federale për shtetasit jo-amerikanë", tha Stacey Allaster, drejtore e turneut US Open. "Dëshirojmë ta mirëpresim Novakun përsëri në US Open 2023".
Zoti Djokovic nuk mori dot pjesë në Australian Open në janar, pasi një proces i zgjatur ligjor përfundoi me dëbimin e tij nga Australia, sepse ai nuk ishte i vaksinuar kundër COVID-19. Ai gjithashtu mori pjesë në katër turne të rëndësishëm në Amerikën e Veriut në vitin 2022, përfshirë rishtazi në Montreal dhe Cincinnati.
Ai mori pjesë në turneun e Francës, French Open, ku humbi në çerekfinale përballë zotit Nadal, si dhe në Wimbledon, ku zoti Djokovic fitoi titullin.
Pasi mundi Nick Kyrgios-in në finalen e Wimbledon-it më 10 korrik, zoti Djokovic tha se "do të donte" të merrte pjesë në turneun e fundit të vitit në Flushing Meadows, por ai gjithashtu pranoi se: "Nuk po planifikoj të vaksinohem".
Rreth tre javë më vonë, zoti Djokovic shkruajti në rrjetet sociale se po ruante shpresën për të patur mundësinë për të luajtur në US Open, duke shkruar: “Po përgatitem sikur do të më lejohet të marr pjesë, ndërsa pres të dëgjoj nëse ka ndonjë vend për mua për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara”.
Zoti Djokovic e ka mbajtur titullin më gjatë se kushdo tjetër në historinë e renditjes së ATP-së (Shoqata e Profesionistëve të Tenisit). Ai është numri 6 këtë javë, pjesërisht për shkak se në Wimbledon nuk u dhanë këtë vit pikë renditjeje.
Ndër lojtarët e tjerë që nuk do të jenë në U.S. Open për arsye të ndryshme janë Alexander Zverev, i cili renditet i dyti dhe ishte nënkampion i vitit 2020 në Nju Jork; kampionia e vitit 2016 Angelique Kerber; finalistja e French Open 2019 Marketa Vondrousova; Gael Monfils dhe Reilly Opelka.