Ndikimi i inflacionit në industrinë e ushqimit në Nju Jork

Food Truck NY

Inflacioni ka arritur nivelin më të lartë në 40 vite në Shtetet e Bashkuara, duke rritur shqetësimet se ai do të ndikojë në rënien e ekonomisë. Por, duket se bizneset e vogla dhe klientët e tyre po i ndjejnë më së shumti pasojat e rritjes së çmimeve. Zëri i Amerikës bisedoi me disa pronarë të stendave ushqimore në qytetin e Nju Jorkut, të cilët po përpiqen të mos i rrisin shumë çmimet për të shpëtuar bizneset e tyre.

"Nëse vini në Amerikë, ne jemi të njohur për ushqimin, ne e duam ushqimin tonë", thotë banori i Nju Jorkut Benjamin Nansong.

Your browser doesn’t support HTML5

Ndikimi i inflacionit në industrinë e ushqimit në Nju Jork

Pak vende mund të krahasohen me Nju Jorkun për nga larmia ushqimore që ky qytet ofron, me restorante dhe stendat e ushqimeve në pothuajse çdo cep të rrugëve të tij.

Inflacioni global ka shkaktuar rritjen e çmimeve në njërin nga qytetet më të shtrenjta në botë.

“Çmimi për një “empanada” (lloj i ushqmit nga Amerika e Jugut) u rrit brenda disa sekondave nga 3 në 4,5 dollarë. Kjo është çmenduri", thotë banori i Nju Jorkut Silbert Grey.

Sipas Indeksit të Çmimeve të Konsumit të Departamentit amerikan të Bujqësisë, çmimet e ushqimeve janë rritur mbi 10 për qind vitin e fundit, ndërsa inflacioni arriti në nivelin më të lartë në 40 vite. Edhe pronarët e stendave të ushqimit në qytetin e Nju Jorkut, kanë rritur çmimet.

“Ne jemi mjaft të shqetësuar, sepse nuk duam të humbasim klientët tanë besnikë, që na kanë frekuentuar në pesë vitet e fundit, kështu që duhet të mendojmë tre herë përpara se të rrisim çmimet”, thotë Dennis Apreza.

Nga tetori i kaluar deri në qershor të këtij viti, ai e ka rritur çmimin e një “burritoje” (ushqim meksikan) nga 12 në 13.5 dollarë. Dhe çmimet mund të rriten edhe më shumë.

“Çdo artikull ushqimor që blini dhe konsumoni, duhet të transportohet më parë me anije, kamionë, ose trena. ushqimet nuk shfaqen në mënyrë magjike në kuzhinë”, thotë Mark A. Cohen, Drejtor i Studimit të Industrisë së shitjeve me pakicë në Universitetin e Kolumbias.

Çmimi i naftës, që përdoret nga mjetet e transportit të mallrave është rritur 66 për qind vitin e fundit.

"Ky nuk është një inflacion i Presidentit Biden, ose i Putinit. Ky është në të vërtetë kryesisht një inflacion i shkaktuar nga Covid-i", thotë eksperti Mark A. Cohen.

Dennis Apreza thotë se biznesi i tij i ushqimit ka rënë me 15 për qind në përgjithësi që nga pandemia, ndërsa pagat, taksat dhe çmimet janë rritur. Ai ka arritur të ulë kostot, duke zvogëluar sasinë e ushqimit, që u shërben klientëve, duke magazinuar më pakë ushqime, duke ofruar shërbime për ngjarje më të mëdha dhe…

“Në vend që ta blejmë ushqimin përmes një shpërndarësi të palës së tretë, tani po ngrihemi në orën tre ose katër të mëngjesit për të blerë produkte të freskëta direkt nga tregu me çmimin më të mirë konkurrues të tregut”, thotë ai.

Ekspertët thonë se masat kufizuese të Covid-19 në mbarë botën shkaktuan probleme me furnizimin dhe sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës kontribuoi në problemet që prekin këto lloje biznesesh.

Më 16 gusht, Presidenti Biden nënshkroi Aktin e Reduktimit të Inflacionit për të ulur kostot e ilaçeve, kujdesin shëndetësor dhe energjinë. Por një studim i Universitetit të Pensilvanisë thotë se ligji i ri do të ulë inflacionin vjetor me vetëm 0.1 për qind në rreth pesë vjet.

“Ka të ngjarë të duhen një ose dy vite derisa çmimet të fillojnë të stabilizohen”, thotë eksperti Mark A. Cohen.

Disa ekspertë sugjerojnë se ndërsa çmimet rriten në restorantet më të shtrenjta, stendat e ushqimit mund të përfitojnë, pasi klientët zgjedhin ushqime më të lira dhe që përgatiten më shpejtë, një ndryshim i mirëpritur për pronarët e këtyre bizneseve.