Numri i të vdekurve nga një sulm rus me raketë në Ukrainë në Ditën e Pavarësisë, ka arritur në 25, përfshirë një djalë 11-vjeçar të gjetur nën rrënojat e një shtëpie dhe një 6-vjeçar të vrarë në një makinë, që mori flakë pranë një stacioni treni, që ishte objektivi i sulmit, tha të enjten një zyrtar ukrainas.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj përdorën një raketë Iskander për të goditur një tren, që po transportonte trupa dhe pajisje ukrainase në vijën e frontit në Ukrainën lindore.
Një zyrtar i lartë i presidencës së Ukrainës, Kyrylo Tymoshenko, nuk tha nëse 25 viktimat ishin të gjithë civilë. 31 persona u plagosën, tha ai.
Goditja vdekjeprurëse në Chaplyne, një qytet me rreth 3,500 banorë në rajonin qendror të Dnipropetrovskut, shërbeu si një kujtesë e dhimbshme se forca ushtarake e Rusisë po shkakton vuajtje tek civilët dhe po vë në provë qëndrueshmërinë e Ukrainës pas gjashtë muajve të një lufte shkatërruese.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy kishte paralajmëruar se Moska mund të bënte "diçka veçanërisht mizore" këtë javë.
"Chaplyne është dhimbja jonë sot," tha zoti Zelenskyy të mërkurën në fjalimin e tij të mbrëmjes drejtuar kombit.
Disa ditë përpara Ditës së Pavarësisë, autoritetet e Kievit ndaluan tubimet e mëdha në kryeqytet deri të enjten nga frika e sulmeve me raketa.
Banorët e Kievit u zgjuan të mërkurën nga sirenat e alarmit, por nuk pati sulme të menjëhershme. Me kalimin e ditës, bombardimet ruse u raportuan në lindje, perëndim dhe qendër të vendit. Duket se goditja e stacionit të trenit ishte sulmi më i rëndë.