Ish-kryeministri i Malajzisë do të vuajë dënimin në burg për korrupsion

Ish-kryeministri i Malajzisë Najib Razak humbi të martën çështjen në gjykatën më të lartë të vendit i akuzuar për përvetësim të fondeve shtetërore. Pesë anëtarët e Gjykatës Federale vendosën njëzëri të lënë në fuqi dënimin me 12 vjet burg të marrë nga Gjykata e Lartë. Pas këtij vendimi zoti Razak nisi menjëherë vuatjen e dënimit, duke u bërë ish-kryeministri i parë në vend që burgoset. Kolegji prej pesë anëtarësh i Gjykatës Federale tha se gjyqtari i Gjykatës së Lartë kishte të drejtë në gjykimin e tij dhe se ankimi i zotit Razak ishte i pabazë.

"Ky është një rast i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë i shpërdorimit të pushtetit, shkeljes kriminale të besimit dhe pastrimit të parave", tha kryegjykatësi Maimun Tuan Mat, i cili lexoi vendimin e gjykatës më të lartë të vendit.

Krahas dënimit me burg gjykata urdhëroi zotin Razak të paguajë dhe një gjobë prej 47 milionë dollarësh.

Pas ardhjes në pushtet në vitin 2009 Najib Razak krijoi një fond zhvillimi të quajtuar “1Malaysia Development Berhad” (1MDB). Autoritetet thonë se të paktën 4.5 miliardë dollarë janë vjedhur e pastruar nga bashkëpunëtorë të zotit Razak.

Ish-kryeministri u shpall fajtor në vitin 2020 për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe përvetësim në rrugë të paligjshme të 9.4 milionë dollarëve nga “SRC International”, një ish degë e fondit të zhvillimit (1MDB).

Ish-kryeministri 69 vjeçar, ka pohuar se është i pafajshëm.