Pakistan, mbështetësit zotohen të ndalin arrestimin e ish-kryeministrit

Pakistani ka ndaluar transmetimin e drejtpërdrejtë të fjalimeve të ish-Kryeministrit Imran Khan, si dhe ka ngritur ndaj tij akuza për terrorizëm. Kritikët i kanë denoncuar këto praktika si “politika shtypëse”. Mbështetës të shumtë të tij kanë dalë përpara rezidencës së tij në kryeqytet, ndërsa një vendim i gjykatës i jep ish-kryeministrit imunitet nga arrestimi për një periudhë tre-ditore.

Your browser doesn’t support HTML5

Pakistan, mbështetësit zotohen të ndalin arrestimin e ish-kryeministrit.mp4

Mijëra mbështetës të zotit Khan u mblodhën të hënën në Islamabad pranë rezidencës së tij, duke thërritur dhe duke valëvitur flamuj pakistanezë, pasi policia akuzoi zotin Khan për shkelje të ligjit kundër terrorizmit, për “kërcënim dhe terrorizim” të punonjësve të policisë dhe të një gjykatëseje, gjatë një fjalimi që ai mbajti të shtunën.

“Kemi dalë ne, njerëzit. Siç e shikoni këtu janë fëmijët, familjet. Kanë ardhur këtu njerëzit që mezi shkojnë deri në spital. Pra populli i Pakistanit ka vendosur se iu duhet një revolucion në këtë vend, dhe ai do të vijë. Destinacioni nuk është aq larg tashmë. Lëvizja e vërtetë e lirisë po i afrohet destinacionit të saj përfundimtar”, tha Faisal Javed, senator dhe zëdhënës i partisë së ish-Kryeministrit Khan.

Ish-Kryeministri Khan, në moshën 70-vjeçare, vazhdon të gëzojë popullaritet në veçanti në radhët e të rinjve. Ai ka mbajtur rregullisht fjalime në tubimet e mëdha kundër qeverisë, të organizuara nga partia e tij në opozitë PTI (Tehreek-e-Insaf), që kur u rrëzua nga pushteti në muajin gusht pas një mocioni mosbesimi në parlament.

Imran Khan

“Ky është reagimi i publikut. Asnjë ushtri, asnjë agjenci, asnjë forcë paraushtarake dhe askush tjetër nuk mund të pengojë popullin e këtij vendi. Ne jemi forca më e madhe. Ne jemi edhe fuqia e agjencive të zbatimit të ligjit. Ata (qeveria) nuk mund t’i kundërvihen 220 milionë pakistanezëve”, thotë Lubna Raja, mbështetëse e ish-Kryeministrit Khan.

Mbështetësit në qytete të tjera gjithashtu dolën në rrugë për të protestuar ndaj një arrestimi të mundshëm të zotit Khan.

Partia e tij “PTI” fitoi zgjedhjet e vitit 2018, duke premtuar që ta pastronte vendin nga korrupsioni i rrënjosur dhe nga nepotizmi. Por, inflacioni në rritje, pandemia COVID-19 dhe problemet e thella ekonomike të Pakistanit, e vendosën qeverinë e tij, tashmë të rrëzuar, nën kritika të vazhdueshme nga opozita.