Ministria e mbrojtjes e Tajvanit tha se kishte identifikuar 17 avionë dhe pesë anije kineze që vepronin rreth ishullit të shtunën, në vazhdën e aktiviteteve ushtarake të Pekinit pranë këtij ishulli. Ministria tha se katër nga avionët kaluan vijën e ngushticës së Tajvanit, e cila në kohë normale vepron si ndarje jozyrtare mes dy palëve. Ndërsa Kina vazhdon manovrat ushtarake përreth Tajvanit, banorët e ishullit po përpiqen të ruajnë qetësinë. Megjithatë siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo, nga kryeqyteti Taipei, disa banorë po ndërmarrin hapa për t’u përgatitur në rast lufte.
Your browser doesn’t support HTML5
Disa banorë të kryeqytetit Taipei po përgatiten për të paimagjinueshmen, po mësojnë si të japin ndihmën e parë ndërsa stërviten për mbrojtjen civile. Shumica e tajvanezëve nuk mendojnë se do të ketë luftë së shpejti, por disa të tjerë po përgatiten në rast se ndodh.
“Mësova se si të ndaloj gjakderdhjen, si të ndihmoj njerëzit dhe veten time”, thotë për Zërin e Amerikës banori Paul Hsu.
“Është e rëndësishme që përballë situatës aktuale në Tajvan, të jemi të gatshëm, të vetëdijshëm për të qënë gati”, thotë për Zërin e Amerikës banorja Jean Hong.
Për dekada me radhë tajvanezët janë përballur me kërcënimet e Kinës. Pavarësisht të kaluarës, disa thonë se situata aktuale është më urgjente se kurrë.
Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Enoch Wu, themelues i organizatës joqeveritare “Forward Alliance”.
“Tajvani u demokratizua rreth 30 vjet më parë. Kjo është mënyra jonë më e mirë për të mbrojtur demokracinë tonë të fituar me vështirësi ndërsa ruajmë paqen. Ky është qëllimi ynë përfundimtar, të ruajmë paqen duke mbrojtur mënyrën tonë të jetesës të fituar me vështirësi.”
Shoqata e zotit Enoch Wu ka organizuar trajnimin për dhënien e ndihmës së shpejtë.
“Për të frenuar konfliktin, është po aq e rëndësishme që qytetarët të jenë të përgatitur sa ç’është e rëndësishme të kesh një ushtri të aftë dhe të besueshme. Ne po i përgjigjemi pyetjes, çfarë mund të bëjë më shumë secili prej nesh për të ndihmuar komunitetin dhe vendin tonë?”
Trajnimet e tjera kanë një qasje më ushtarake. Një kurs në Taipei i përgatit civilët për luftë urbane. Arthur Chang, pjesëmarrës në trajnim, foli me shërbimin Mandarin të Zërit të Amerikës.
“Askush nuk dëshiron luftë. Por nëse shpërthen një luftë, duhet të ngrihesh dhe të luftosh për të mbrojtur njerëzit dhe vlerat që i konsideron të rëndësishme”.
Shumë tajvanezë kanë përvojë ushtarake, por jo të madhe. Aktualisht, burrave tajvanezë u kërkohet të bëjnë vetëm katër muaj trajnim bazë. Ish oficeri i lartë ushtarak, Lee Hsi-min, thotë për Zërin e Amerikës se nevojiten më shumë trajnime civile për sigurinë kombëtare të Tajvanit.
“Ka kaq shumë të rinj që e urrejnë Kinën. Ata duan të mbrojnë veten, por nuk duan të qëndrojnë në ushtri”.
Ai thotë se është e rëndësishme krijimi i një “force mbrojtëse” vullnetare për të trajnuar tajvanezët për të mbrojtur familjet dhe shtëpitë e tyre. Një numër në rritje tajvanezësh thonë se do të luftojnë për të mbrojtur vendin e tyre.
Të tjerët, thjesht duan të jenë të përgatitur për të ndihmuar fqinjët e tyre në rast se shpërthen një luftë që ata nuk e duan.