Ish-nënpresidenti Mike Pence po u kërkon republikanëve që të ndalojnë sulmet ndaj FBI-së pas kontrollit që ajo kreu në shtëpinë e Donald Trumpit në Florida.
Zoti Pence po denoncon thirrjet e disa prej aleatëve të ish-presidentit për të mos financuar FBI-në, duke thënë se kjo është "po aq e gabuar" sa një thirrje e aktivistëve demokratë për të mos financuar policinë.
Zoti Pence tha gjithashtu se do ta "shqyrtonte rastin" nëse i kërkohet të dëshmojë para komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve që po heton trazirat e 6 janarit 2021.
Thirrjet e zotit Pence për përmbajtje vijnë pasi zyrtarët e zbatimit të ligjit paralajmërojnë për një numër në rritje të kërcënimeve të dhunshme ndaj agjentëve federalë dhe objekteve qeveritare, që kur agjentët kontrolluan javën e kaluar banesën e zotit Trump në Mar-a-Lago.
Duke folur në Nju Hemshër, zoti Pence u pyet se çfarë i shkoi në mendje kur dëgjoi për kontrollin e FBI-së në shtëpinë e zotit Trump. Ish nënpresidenti Pence, i cili ashtu si zoti Trump po shqyrton mundësinë për të garuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, tha se ishte i shqetësuar nga ai që ai e quajti politizim të FBI-së. Ai tha gjithashtu se Departamenti i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland duhet të jenë më transparentë në lidhje me atë që i shtyu autoritetet të kryenin kontrollin.
Por ish-nënpresidenti kishte gjithashtu një mesazh për partinë republikane.
"Dua t'u kujtoj kolegëve të mi republikanë, se mund ta mbajmë përgjegjës prokurorin e përgjithshëm për vendimin që ai mori, pa sulmuar personelin e forcave të zbatimit të ligjit në FBI".
“Partia Republikane është partia e rendit dhe ligjit”, vazhdoi më tej zoti Pence. “Partia jonë është me burrat dhe gratë që qëndrojnë në pozita delikate në nivel federal, shtetëror dhe lokal dhe këto sulme ndaj FBI-së duhet të ndalen. Thirrjet për të ndaluar financimin e FBI-së janë po aq të gabuara sa edhe thirrjet për të shkurtuar fondet për policinë.”
Autoritetet federale dhe vëzhgues privatë të ekstremizmit kanë paralajmëruar se një numër në rritje i mbështetësve të flaktë të zotit Trump duket se janë të gatshëm të kundërpërgjigjen ndaj FBI-së ose të tjerëve që, sipas tyre, po shkojnë shumë larg në hetimin e ish-presidentit.
Në Ohajo, një burrë i veshur me anti-plumb dhe i armatosur, u qëllua dhe u vra, pasi u përpoq të hynte në zyrën e FBI-së në Cincinati. Në Pensilvani, një burrë u arrestua pasi postoi kërcënime me vdekje ndaj agjentëve në mediat sociale.
Drejtori i FBI-së, Christopher Wray, ka thënë se kërcënimet ndaj agjentëve dhe Departamentit të Drejtësisë janë "për të ardhur keq dhe të rrezikshme". FBI-ja ka paralajmëruar agjentët e saj që të marrin masa paraprake, duke përmendur një rritje të kërcënimeve në mediat sociale ndaj personelit dhe objekteve të byrosë. Disa ligjvënës republikanë dhe të tjerë po kërkojnë që FBI-ja të shpërbëhet dhe të mos financohet.
Zoti Pence, i cili është përpjekur të distancohet nga ish-shefi i tij, i parapriu pyetjes duke thënë: "Dihet mjaft mirë se presidenti Trump dhe unë kemi pasur mosmarrëveshjet tona". Megjithatë, zoti Pence ka qenë i kujdesshëm të përmendë shpesh arritjet e "administratës Trump-Pence", duke shpresuar se ai mund t'u bëjë thirrje votuesve që mund të kenë mbështetur politikat e Trumpit, por jo sjelljen e tij.
Rrugët e tyre ndanë më 6 janar 2021, kur një turmë mbështetësish të zemëruar të zotit Trump sulmuan Kapitolin në një përpjekje për të ndaluar çertifikimin zyrtar në Kongres të fitores së zgjedhjeve presidenciale nga Joe Biden. Donald Trumpi denoncoi nënpresidentin e tij për refuzimin për të kundërshtuar, ose vonuar çertifikimin – diçka që zoti Pence nuk kishte fuqi ligjore ta bënte.
Zoti Pence më parë kishte refuzuar të thoshte nëse ai do të angazhohej me komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve, që po heton mbi sulmin e 6 janarit nëse komisioni do t’i kërkonte të jepte dëshminë e tij. Të mërkurën, ai tha se do ta merrte në konsideratë këtë kërkesë.
“Do të ishte e paprecedentë në histori, që një nënpresident të thirret për të dëshmuar në Kongres, por siç thashë, nuk dua të paragjykoj,” tha ai. "Nëse do të më bëhej ftesë zyrtare, do ta konsiderojë atë".