Pasiguri për forcat ruse në Krime, vijojnë shpërthimet

Russia Ukraine War

Një sërë shpërthimesh dhe një zjarr që ende vazhdon të digjet, e kanë kthyer Gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Rusia, nga një bazë e sigurtë për forcat ruse, në një zonë të rrezikshme, duke vënë në pah sfidat për Moskën, ndërsa po bëhen gati 6 muaj nga fillimi i luftës kundër Ukrainës.

Sipas shërbimit britanik të zbulimit “komandantët rusë do të jenë gjithnjë e më të shqetësuar për sigurinë në Krime, që shërben si prapavijë e forcave ruse”.

Edhe Rusia e ka pranuar se ishin “akte sabotazhi”, siç i quan Moska, ato që shkaktuan shpërthimet e ditëve të fundit në depot e municionit në Dzhankoi, nga u detyruan të evkuohen rreth 3 mijë banorë.

Shpërthimet në depot e municionit vazhduan edhe sot.

Para një jave, Ukraina tha se 9 avionë rusë u shkatërruan nga shpërthimet në bazën ajrore dhe Moska në atë kohë ia hodhi fajin një zjarri aksidental të filluar nga një bisht cigarreje.

Por justifikime të tilla duket se nuk funksonojnë më, ndërsa Krimea po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe.

Ndërkohë gazeta “Kommersant” shkruante se shpërthime ka patur edhe në Gvardejoskoje, në rajonet qendrore të Krimesë, që së bashku me Dzhankoin, përbëjnë dy bazat ajrore më të rëndësishme për Rusinë në Krime.

Rusia e pushtoi dhe ankesoi Krimenë në vitin 2014 dhe e ka përdorur si bazë për fillimin e sulmit në shkallë të gjerë ndaj Ukrains më 24 shkurt të këtij viti.

Nga zhvillimet e tjera në Ukrainë, Sekretari i Përgjithshëm I OKB-së, Antonio Guterres pritet të takohet sot në qytetin e Lvivit, në perëndim të Ukrianës, me Presidentin Volodymyr Zelensky dhe me Presidentin e Turqisë Recep Tayip Erdogan. Ata pritet të diskutojnë rreth transportit të grurit nga Ukraina për vende të tjera.