Salman Rushdie, "në rrugën e rimëkëmbjes"

Shkrimtari Salman Rushdie është "në rrugën e rimëkëmbjes", konfirmoi agjenti i tij të dielën, dy ditë pasi autori i "Vargjeve Satanike" u sulmua me thikë në një aktivitet në Nju Jork, duke u plagosur rëndë.

Njoftimi pasoi lajmin se shkrimtari i njohur nuk po merrte më oksigjen artificialisht të shtunën dhe ishte në gjendje të fliste. Por agjenti Andrew Wylie tha se megjithëse "gjendja shëndetësore e shkrimtarit po shkon në drejtimin e duhur", rimëkëmbja e tij do të ishte një proces i gjatë.

Të shtunën zoti Wylie tha se 75 vjeçari Rushdie kishte dëmtime në mëlçi, nerva të prera në krah dhe mund të humbiste njërin sy.

24 vjeçari Hadi Matar që e sulmoi atë e deklaroi veten të pafajshëm për akuzat për tentativë vrasje.

Një gjykatës urdhëroi që ai të mbahej i ndaluar pa të drejtën e lirimit me kusht pasi prokurori Jason Schmidt tha se Matari e kishte bërë sulmin me paramendim, duke pasur parasysh se kishte siguruar një biletë për të hyrë në aktivitetit ku do të fliste zoti Rushdie, kishte mbërritur një ditë më herët dhe kishte një patentë të rreme.

"Ky ishte një sulm i paramenduar, i paprovokuar, i planifikuar ndaj zotit Rushdie," tha prokurori Schmidt.

Sulmi ndaj shkrimtarit që për 30 vjet është përballur me kërcënime për jetën pasi botoi “Vargjet Satanike”, u prit me tronditje dhe zemërim gjerësisht nga publiku, bota letrare dhe politike e pjesës më të madhe të botës.

Lexoni edhe këtë Bota letrare dhe politike dënon me forcë sulmin ndaj shkrimtarit Salman Rushdie

Presidenti Joe Biden tha të shtunën në një deklaratë se ai dhe zonja e parë Jill Biden ishin "të tronditur dhe të trishtuar" nga sulmi.

"Salman Rushdie - me të kuptuarin e thellë të njerëzimit, me aftësinë e pakrahasueshme për të rrëfyer dhe me refuzimin për t'iu dorëzuar frikës apo për të heshtur - përfaqëson ideale të domosdoshme, universale," thuhej në deklaratën e Presidenti.

"E vërteta. Guximi. Qëndrueshmëria. Aftësia për të shprehur ide pa frikë. Këto janë themelet e çdo shoqërie të lirë dhe të hapur", vazhdon deklarata.