Një nga hartueset kryesore të projektligjit të paraqitur kohët e fundit në Kongresin amerikan për Ballkanin Perendimor, tha për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara po ripërtërijnë vëmendjen e tyre në rajon mes shqetësimeve se Rusia po përpiqet të përkeqësojë tensionet etnike dhe të nxis konfliktet. Jeanne Shaheen, kryetare e Nënkomisionit për Evropën dhe Bashkëpunimin mbi Sigurinë Rajonale tha se Akti mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor synon të mbështesë zhvillimin ekonomik, si dhe të luftojë korrupsionin për t’ju kundërvënë aktiviteteve destabilizuese të Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Senatorja Shaheen i bëri komentet në një intervistë për shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës.
Your browser doesn’t support HTML5
Senatorja Jeanne Shaheen tha se Akti mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perendimor kërkon të kthejë vëmendjen e Shteteve të Bashkuara në një rajon ku ndikimi rus ka një histori të gjatë dhe që Moska mund ta shoh si një objektiv të dytë pas agresionit në Ukrainë.
“Rusia ka interest të përpiqet të shtojë tensionet që tashmë ekzistojnë, të përpiqet të promovojë konflikte. Dhe ndërsa Rusia shqyrton të shoh se ku mund të shkojë pas Ukrainës sigurisht që Ballkani Perendimor është një nga vendet. // Nuk mund ta imagjinoj që dikush në botë, por veçanërisht në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor tek shikon atë që po ndodh në Ukrainë, të mendoj se do të donte që Rusia të ndërhynte dhe të bënte të njëjtën gjë në vendet e tyre”.
Ndërsa vendet e rajonit kanë bërë përparim në drejtim të qeverisjes demokratike, përçarjet politike dhe korrupsioni në rritje mbeten kërcënuese për proceset demokratike. Për të siguruar një qëndrueshmëri dhe përkushtim drejt aspiratave perëndimore, projektligji i ri dypartiak synon të forcojë tregtinë dhe investimet amerikane në Ballkanin Perendimor.
“Ky legjislacion e bën të qartë se një pjesë e rëndësishme për të siguruar prosperitetin ekonomik është nxitja e tregtisë, jo vetëm mes Shtetet e Bashkuara dhe rajonit apo Evropës dhe rajonin, por brenda rajonit, sepse partnerët tregtarë më të mëdhenj në vendet e Ballkanit Perëndimor janë fqinjët e tyre dhe ne duam të gjejmë mënyra se si mund ta inkurajojmë këtë tregti”, tha senatorja.
Zonja Shaheen tha se projekligji udhëzon Sekretarin e Shtetit të ofrojë ndihmë teknike për çdo vend të Ballkanit Perëndimor që kërkon të zhvillojë një strategji kombëtare kundër korrupsionit.
“Përballja me korrupsionin është një pjesë shumë e rëndësishme. Dhe ajo që bën ky legjislacion është fuqizimi i Sekretarit të Shtetit për të ofruar asistencë teknike për vendet që kërkojnë ndihmë në përballjen e sfidave të tyre me korrupsionin".
Zonja Shaheen ishte në krye të një grupi senatorësh amerikanë që vizituan në muajin prill Kosovën, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Ajo tha se pa nga afër shqetësimet e banorëve, veçanërisht të të rinjve që kërkojnë një të ardhme më të mirë për vete dhe familjet e tyre.
“Nëse njerëzit janë me shpresë për të ardhmen nëse e dinë se ka mundësi dhe ka një rrugë përpara, atëherë ata do të jenë më pak të prirur t'i kushtojnë vëmendje atij lloj dezinformimi. Kjo është një nga pikat në projektligj që unë mendoj se është vërtet e rëndësishme.//Dhe mesazhi im për udhëheqësit në Ballkanin Perëndimor është të mendojnë për atë që duan qytetarët e tyre, të mendojnë për të ardhmen, çfarë është e mirë për vendin duke mos vazhduar të promovojnë një lloj konflikti që ka qenë kaq shkatërrues në të kaluarën për qytetarët e tyre”.
Senatorja Shaheen tha se e ardhmja e rajonit drejt Perëndimit dhe forcimi i qeverisjes demokratike është stimuli më i mirë për t’i mbajtur këto vende larg ndikimit rus dhe përpjekjeve të Moskës për të destabilizuar rajonin.