Zelenskyy i quan shqetësim global bombardimet rreth centralit bërthamor në Zaporizhia

Presidenti ukrainas Volodomyr Zelenskyy tha në fjalimin e tij të përditshëm të enjten vonë se "një tjetër bombardim nga Rusia u regjistrua" rreth termocentralit bërthamor Zaporizhia në Ukrainë, që është centrali më i madh në Evropë.

“Askush tjetër nuk e ka përdorur një central bërthamor kaq qartë për të kërcënuar të gjithë botën”, tha presidenti Zelenskyy. “Dhe absolutisht të gjithë në botë duhet të reagojnë menjëherë për të dëbuar pushtuesit nga territori i centralit bërthamor Zaporizhia. Ky është një interes global, jo vetëm një nevojë ukrainase”.

Ukraina dhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën për bombardimet përreth centralit bërthamor.

Your browser doesn’t support HTML5

Sulmohet centrali bërthamor në Ukrainë, palët akuzojnë njëra-tjetrën

“Objekti nuk duhet të përdoret si pjesë e ndonjë operacioni ushtarak”, tha në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. “Në vend të kësaj, nevojitet një marrëveshje urgjente në një nivel teknik për një perimetër të sigurt të çmilitarizuar për të garantuar sigurinë e zonës”.

Presidenti Zelenskyy tha gjithashtu se të enjten u takua me kuzhinierin Jose Andres, themeluesin e organizatës ndërkombëtare humanitare World Central Kitchen, që ushqen njerëzit në vendet që vuajnë nga luftërat dhe fatkeqësitë natyrore.

“Që në ditët e para të luftës në shkallë të gjerë të Rusisë kundër vendit tonë, organizata e tij filloi të punojë në kufirin me Poloninë, për emigrantët”, tha presidenti Zelenskyy. “Më pas, ajo filloi veprimtaritë në shumë qytete të Ukrainës. ... Më shumë se 130 milionë vakte janë gatuar për qytetarët tanë”.

Në një tjetër zhvillim, dy anije u larguan nga portet e Ukrainës të premten. Oleksandr Kubrakov, ministër i Infrastrukturës i Ukrainës, shkroi në një postim në Twitter se një nga anijet do të ngarkohej me 23,000 ton drithë për në Etiopi. Katërmbëdhjetë anije, përfshirë dy të premten, janë larguar nga portet e Ukrainës të ngarkuara me ushqime.

*Disa informacione për këtë material janë marrë nga agjencia e lajmeve Reuters.