I dyshuari për vrajsen e katër myslimanëve në shtetin “New Mexico”, ka mohuar të ketë lidhje me krimet që tronditën komunitetin e vogël mysliman në qytetin Albuquerque.
51 vjeçari i ndaluar nga policia, Muhammad Syed, u tha autoriteteve se ishte aq i shqetësuar nga dhuna saqë po ngiste makinën drejt Teksasit për të gjetur një shtëpi të re për familjen e tij, thuhet në dokumentet e gjykatës.
Dokumentet e bëra publike mbrëmjen e së martës tregojnë se i dyshuari Muhammad Syed, kishte vetëm rroba, këpucë dhe një pistoletë në makinën e tij kur u ndalua nga policia të hënën më shumë se 160 kilometra larg nga shtëpia e tij në qytetin Albuquerque.
Hetuesit thonë se gëzhojat e plumbave të gjetura në automjetin e tij përputhen me kalibrin e armëve që besohet se u përdorën në dy prej vrasjeve dhe se gëzhojat e gjetura në skenat e krimit kishin lidhje me një armë të gjetur në shtëpinë e të dyshuarit Muhammad Syed.
Syed, një emigrant nga Afganistani, u tha detektivëve me ndihmën e një përkthyesi se kishte shërbyer me forcat speciale në Afganistan dhe kishte luftuar kundër talebanëve, thuhet në dokumentet e gjykatës. Gjatë intervistës me dedektivët ai kishte hedhur poshtë çdo përfshirje në vrasje.
Vrasjet në pritë të katër burrave myslimanë në vende të ndryshme në periferi të qytetit Albuquerque shkaktuan frikë tek komuniteti mysliman në qytetin më të madh të shtetit New Mexico. Të dhënat nga publiku, thanë autoritetet, çuan në arrestimin e të dyshuarit Syed, i cili i njihte viktimat.
Policia tha se i dyshuari jetonte në Shtetet e Bashkuara prej pesë vitesh. “I dyshuari i njihte vitktimat në në farë mase dhe një konflikt pesonal mund të ketë çuar në vrasje”, thuhet në një deklaratë të policisë.
Kur u pyet konkretisht nëse i dyshuari Syed, mysliman i sektit suni, ishte zemëruar që vajza e tij u martua me një mysliman të sektit shiit, drejtuesi i lartë i policisë, Kyle Hartsock, tha se po hetohen të gjitha pistat për të kuptuar motivet.