Kina i vazhdoi edhe sot stërvitjet kërcënuese ushtarake rreth Tajvanit, që fillimisht kishte thënë se do t’i përfundonte dje duke ngritur shqetësime për mundësinë e shpërthimit të konfliktit. Udhëheqësit ushtarakë kinezë thonë se stërvitjet do të përfshijnë manovra kundër nëndetëseve, që duket se synon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Tajvanin në rast të një pushtimi të mundshëm kinez. Kina thotë se stërvitjet janë reagim ndaj vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan Nancy Pelosi në ishullin e vetëqeverisur javën e kaluar. Kina ka injoruar thirrjet për të qetësuar tensionet dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë se kur do t'i japë fund bllokadës së Tajvanit.
Your browser doesn’t support HTML5
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin tha sot se Kina "do të ruajë në mënyrë të vendosur sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, dhe se “nuk do të lejojnë Shtetet e Bashkuara të frenojnë Kinën për çështjen e Tajvanit dhe se vdo të shkatërrojë me vendosmëri iluzionin e autoriteteve të Tajvanit se mund të “mbështeten tek Shtetet e Bashkuara për pavarësi”.
Kina ka thënë se stërvitjet janë reagim ndaj vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi në ishullin e vetëqeverisur javën e kaluar.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden shprehu shqetësimet për veprimet e Kinës, por ai nuk beson që Kina do ta përshkallëzojë situatën.
"Jam i shqetësuar edhe për aq sa po bëjnë, por nuk besoj që do të shkojnë përtej stërvitjeve " tha presidenti Biden të hënen.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të dielën se zbuloi gjithsej 66 avionë dhe 14 anije luftarake që kryenin stërvitjet detare dhe ajrore.
Tajvani është përgjigjur duke vënë ushtrinë e tij në gatishmëri dhe duke vendosur anije, aeroplanë dhe mjete të tjera për të monitoruar ushtrinë kineze që "simulon sulme ndaj ishullit të Tajvanit”.
Ndërkohë, Agjencia zyrtare e Lajmeve e Tajvanit njoftoi se ushtria e ishullit do të kryejë stërvitje artilerie me zjarr të vërtetë në qarkun jugor Pingtung, të martën dhe të enjten, në përgjigje të stërvitjeve kineze.
Stërvitjet do të përfshijnë snajperë, automjete luftarake, automjete të blinduara si dhe helikopterë sulmues, thuhet në njoftim, i cili citon një burim anonim.
Banorët e Tajvanit ndërkohë shprehen se kanë besim në fuqinë mbrojtëse të ushtrisë së tyre.
“Unë mendoj se vizita e zonjës Pelosi është një lloj teatri politik, sepse ajo do largohet së shpejti nga posti i Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve. Pra, është si një 'udhëtim lamtumire' nga karriera e saj politike. Shpresojmë që çështja e Tajvanit do të mund të tërheq vëmendje globale dhe njerëzit këtu shpresojnë se ajo (zonja Pelosi) mund të na ndihmojë. Por, papritur, kjo shkaktoi një konflikt dhe kjo nuk është një gjë e mirë për Tajvanin”, thotë Lin, banor i Tajvanit.
“Nuk jam i shqetësuar për mbrojtjen tonë kombëtare, sepse ne jemi të përgatitur dhe kemi mjaft pajisje mbrojtëse, duke përfshirë pajisje elektronike, mjete ajrore pa pilot, si dhe raketa”, thotë Yeh banori tjetër i Tajvanit.
“Tani për tani, nuk mendoj se Kina do të na sulmojë. Kjo i dëmton të dyja palët. Edhe pse ata janë një vend më i madh, aftësia e mbrojtjes kombëtare të Tajvanit nuk është e keqe”, thotë studenti tajvanez, Eddison.
Kina thotë se Tajvani është territori i saj dhe ka kërcënuar ta aneksojë atë me forcë, nëse është e nevojshme. Të dy palët u ndanë në vitin 1949 pas një lufte civile, por Pekini i konsideron vizitat në Tajvan nga zyrtarë të huaj si njohje të sovranitetit të tij.
Lexoni edhe këtë Historia e ndarjes Tajvan-KinëBanorët kinezë të intervistuar nga agjencia e lajmeve Reuters, megjithatë pajtohen se stërvitjet kineze janë reagimi i duhur.
“Kjo nuk do të thotë se ne duhet ta bashkojmë Tajvanin me forcë, ose se do të fillojmë luftën. Nëse po, a nuk shkon kjo në favor të të tjerëve? Por ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe ta injorojmë situatën. Reagimi kinez është në fakt mjaft i përshtatshëm. Nëse do të kishte një stërvitje tjetër në të ardhmen, kjo nuk do të ishte më më befasuese. Do të zgjeronim hapësirën tonë dhe ngushtonim hapësirën e tyre, hap pas hapi. Dhe kjo nuk mendoj se është një gjë e keqe”, thotë banori i Shanghait, Li Weiming.
“Në fillim mund të përdoret vetëm forca. Më vonë, pas forcës, paqja mund të diskutohej hap pas hapi. Nuk ka kuptim nëse filloni diskutimin duke përdorur paqen. Fjalët janë të pakuptimta, vetëm fuqia ushtarake mund të shihet si parandalim i vërtetë”, thotë 23 vjeçari Lai Ji nga Shanghai.
Presidentja e Tajvanit Tsai Ing-wen i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të "mbështesë Tajvanin demokratik" dhe "të ndalojë çdo përshkallëzim të situatës”.
Grupi i Shtatë vendeve të industrializuara i ka kritikuar gjithashtu veprimet e Kinës, duke bërë që Pekini të anulojë një takim midis Ministrit të Jashtëm Wang Yi dhe homologut të tij japonez, Yoshimasa Hayashi.
Kina ka ndërprerë bisedimet për mbrojtjen dhe mjedisin me SHBA-në dhe ka vendosur sanksione ndaj zonjës Pelosi si hakmarrje për vizitën e saj.
Administrata e presidentit Joe Biden dhe zonja Pelosi thonë se SHBA-të mbeten të përkushtuara ndaj politikës së "një Kine të vetme" që përfshin njohjen zyrtare diplomatike të Pekinit, por duke lejuar marrëdhënie të forta, jo formale, si dhe lidhje ushtarake me Taipein.
Në Uashington, ambasadori de fakto tajvanez, Bi-khim Hsiao tha se Kina nuk kishte arsye "të ishte kaq e zemëruar" për vizitën e zonjës Pelosi, e cila ka vazhduar një traditë të gjatë të ligjvënësve amerikanë, që vizitojnë Tajvanin.
"Ju e dini, ne kemi jetuar nën kërcënimin nga Kina me dekada," tha zoti Hsiao për televizionin amerikan, “CBS News” të dielën. "Nëse keni një fëmijë që ngacmohet në shkollë, ju nuk e ndaloni shkuarjen në shkollë. Ju përpiqeni të gjeni një mënyrë për t'u marrë me ngacmuesit.
"Rreziqet paraqiten nga Pekini," tha zoti Hsiao.
Gjatë një vizite në Mianmar, qeveria ushtarake e të cilit e mbështetur nga Kina është akuzuar për vrasjen e kundërshtarëve të saj, ministri i jashtëm kinez Wang Yi tha se Uashingtoni "po përfitonte nga rasti për të ndërtuar praninë ushtarake në rajon, i cili meriton vigjilencë të lartë dhe bojkot të vendosur nga të gjitha anët”.
Ndërkohë, Ministrja e Jashtme australiane Penny Wong bëri thirrje për ulje të tensioneve. "Australia vazhdon të kërkojë përmbajtje, Australia vazhdon të kërkojë uljen e përshkallëzimit dhe kjo nuk është diçka, që e kërkon vetëm Australia, i gjithë rajoni është i shqetësuar për situatën aktuale, i gjithë rajoni po bën thirrje që të rivendoset stabiliteti," iu tha zonja Wong gazetarëve në Canberra.