Talibanët thonë se një bombë vrau 8 persona në zonën shiite të Kabulit

A satellite image shows a view of the Sherpur neighborhood of Kabul

ISLAMABAD (AP) - Një bombë e fshehur në një karrocë shpërtheu të premten pranë një xhamie në një lagje të pakicës shiite të kryeqytetit afgan, duke vrarë të paktën tetë persona dhe duke plagosur 18 të tjerë, tha një zyrtar taleban.

Po të premten, qindra afganë - me sa duket të organizuar nga talebanët - u mblodhën në disa provinca, duke denoncuar sulmin me dron të SHBA-së të dielën e kaluar që vrau udhëheqësin e al-Kaidës Ayman al-Zawahri në ballkonin e një shtëpie të sigurt në Kabul.

Sipas Khalid Zadranit, zëdhënësi i emëruar nga talebanët për shefin e policisë së Kabulit, shpërthimi me karrocë ndodhi në Kabulin perëndimor, në zonën Sar-e Karez. Njoftimet e para thanë se dy persona u vranë, por numri i viktimave u rrit me shpejtësi pasi të plagosurit u dërguan në spitalet lokale.

“Edhe një herë, armiku kreu një sulm në ditët e shenjta dhe vrau civilë të pafajshëm”, tha Khalid Zadran. Ai shtoi se policia ka nisur hetimet.

Sipas agjencisë Reuters, grupi Shtetit Islamik, i cili ka shënjestruar shiitët pakicë të Afganistanit në sulme në shkallë të gjerë edhe në të kaluarën, mori përgjegjësinë për sulmin e sotëm.

Dega rajonale e IS, e njohur si Shteti Islamik në provincën Khorasan, ka shtuar sulmet ndaj xhamive dhe pakicave në të gjithë vendin që kur talebanët morën pushtetin gushtin e kaluar.

IS, i cili ka operuar në Afganistan që nga viti 2014, shihet si sfida më e madhe e sigurisë me të cilën përballen sundimtarët talebanë të vendit. Pas pushtimit të Afganistanit, talebanët kanë nisur një goditje gjithëpërfshirëse kundër selisë së IS-it në lindje të vendit.