Kina lëshoi raketa në stërvitjet më të mëdha ushtarake në Ngushticën e Tajvanit, duke i mbajtur të larta tensionet me Tajvanin, një ditë pasi Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi e vizitoi ishullin. Mediat ndërkombëtare raportuan gjithashtu për sulme kibernetike në Tajvan të cilat kanë pasur mesazh të qartë kundër vizitës së zonjës Pelosi. Ndërkaq, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken deklaroi sot se nuk do të pranojnë ndryshimin e statusit të Tajvanit.
Your browser doesn’t support HTML5
Kina hodhi raketa rreth Tajvanit si pjesë e stërvitjeve ushtarake, një ditë pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në ishullin e vetëqeverisur që Pekini e konsideron si pjesë të territorit të tij.
Stërvitjet në ngushticën e Tajvanit, përfshinin hedhje raketash në ujërat në veri, jug dhe lindje të ishullit, duke i çuar tensionet në zonë në nivelin më të lartë në një çerek shekulli.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se 11 raketa balistike kineze Dongfeng ishin hedhur në ujërat përreth ishullit. Hera e fundit që Kina lëshoi raketa në ujërat përreth Tajvanit ishte në vitin 1996.
Të mërkurën, disa zyrtarë tajvanezë njoftuan për një numër të madh të sulmeve kibernetike të cilat kanë paralizuar shërbimet e faqeve të internetit që i takojnë zyrës së presidentit të Tajvanit, ministrive të jashtme dhe asaj të mbrojtjes, ndërsa ekranet në stacionet e trenave kanë pasur mesazhe të qarta kundër vizitës së zonjës Pelosi në Tajvan.
Ndërkaq, Sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken i cili është në Kamboxhia për një takim të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore, ASEAN deklaroi se Uashingtoni nuk ka ndryshuar politikë ndaj Tajvanit e as Kinës.
“Ne kundërshtojmë çdo përpjekje të njëanshme për të ndryshuar status-quonë, veçanërisht me forcë. Ne mbesim të përkushtuar ndaj politikës së një Kine dhe dua të nënvizoj se asgjë nuk ka ndryshuar nga qëndrimi ynë dhe shpresoj shumë që Pekingu nuk do të krijojë një krizë apo të kërkojë një pretekst për të rritur aktivitetin e saj agresiv ushtarak”, tha zoti Blinken.
Michael O’Hanlon i Institutit Brookings thotë se Kina e sheh vizitën e zonjës Pelosi në Tajvan si provokim.
“Kur Tajvani e mirëpret kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, zyrtaren e tretë më të lartë amerikane, atëherë kjo, në mëndjen e Kinës, në mënyrë të rrezikshme duket se po afron rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike ose të paktën një lloj raporti që duket si marrëdhënie diplomatike, që natyrisht nënkupton se Shtetet e Bashkuara po e trajtojnë Tajvanin si një shtet”, thotë zoti O’Hanlon.
Zonja Pelosi e vazhdoi turin e saj aziatik me një ndalesë në Korenë e Jugut, ku sipas medias ajo nuk e përmendi vizitën e saj në Tajvan.
Ajo u takua me homologun e saj koreano-jugor me të cilin ka folur për bashkëpunimin ekonomik dhe rrezikun nga programi bërthamor të Koresë së Veriut. Më pas ajo shkoi në Japoni.