Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi mbërrin në Tajvan

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, mbërriti në Tajvan të martën vonë, një vizitë që zhvillohet mes paralajmërimeve të Kinës se kjo do të minonte marrëdhëniet dypalëshe dhe se Pekini nuk do të qëndrojë duarkryq.

Zonja Pelosi tha në një deklaratë pak pas mbërritjes në Taipei se vizita e delegacionit të Kongresit nderon angazhimin e palëkundur amerikan në mbështetje të demokracisë në Tajvan.

“Solidariteti amerikan me 23 milionë banorët e Tajvanit është më i rëndësishëm se kurrë, kur bota po përballet me një zgjedhje mes autokracisë dhe demokracisë”, shtoi zonja Pelosi.

Vizita e zonjës Pelosi në kryeqytetin tajvanez, Taipei, është në kuadër të një turneu të saj në Azi.

Pekini që pretendon se Tajvani i vetëqeverisur është provincë e Kinës, tha se vizita e zonjës Pelosi do të “ishte një ndërhyrje e rëndë në punët e brendshme kineze” ndërsa paralajmëroi se “Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës nuk do të rrijë duarkryq”.

Në një paralajmërim të fundit, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi tha sot se politikanët amerikanë që “luajnë me zjarrin” për çështjen e Tavjanit “nuk do të kenë fund të mirë”.

Reagime pati edhe nga Moska. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha sot se Rusia e sheh vizitën e zonjës Pelosi në Tajvan si një provokm që synon të ushtrojë trysni mbi Pekinin.

Shtetet e Bashkuara thanë të hënën se nuk tremben nga kërcënimet ushtarake kineze. Shtëpia e Bardhë dënoi dje retorikën e Pekinit, duke thënë se SHBA nuk ka interes të thellojë tensionet me Kinën.

Katër luftanije amerikane, duke përfshirë një aeroplanmbajtëse, u vendosën në ujërat në lindje të Tajvanit, në ato që marina amerikane i quajti dislokime rutinë.

Ndërkohë avionët luftarakë kinezë lëvizën në vijën që ndan ngushticën e Tajvanit të martën, pak përpara mbërritjes në Taipei të Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara.

Kërcënimet ushtarake të Kinës shkaktuan rritje të shqetësimeve për një krizë të re në ngushticën me 140 kilometra gjerësi të Tajvanit, që ndan dy palët dhe që mund të godiste tregjet globale dhe zinxhirët e furnizimit.

Shumica e takimeve të planifikuara të zonjës Pelosi, përfshirë takimin e saj me Presidentin Tsai Ing-wen, janë caktuar për të mërkurën, tha një person i afërt me kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve.

Katër burime thanë se ajo ka planifikuar që nesër pasdite të takohet me një grup aktivistësh të cilët flasin hapur për çështjen e të drejtave të njeriut në Kinë.

Ministria e Jashtme e Tajvanit nuk komentoi planet për vizitën e zonjës Pelosi, ndërsa zyra e saj gjithashtu ka qëndruar në heshtje deri tani.

Tajvani dhe Kina u ndanë më 1949 pas fitores së komunistëve në një luftë civile. SHBA ruan marrëdhënie jozyrtare dhe lidhje në fushën e mbrojtjes me Tajvanin edhe pse e njeh Pekinin si qeveri të Kinës.