Vizita e kryediplomatit Lavrov kthen vëmendjen e Rusisë tek Afrika

Ndërsa vazhdon agresioni në Ukrainë, Rusia ka intensifikuar përpjekjet e saj globale për të fituar mbështetje me një udhëtim zyrtar në katër vende afrikane nga ministri i saj i jashtëm, Sergej Lavrov. Ndonëse Moskës i janë shkëputur lidhjet nga Perëndimi, dyert janë ende të hapura për Rusinë në Azi dhe Afrikë, udhëheqësit e së cilës kanë hezituar të mbështesin sanksionet ndërkombëtare.

Your browser doesn’t support HTML5

Vizita e kryediplomatit Lavrov kthen vëmendjen e Rusisë tek Afrika

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës la në hije një udhëtim të ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në Egjipt, Etiopi, Ugandë dhe Republikën e Kongos, muajin e kaluar.

Në turneun e tij, zoti Lavrov u përpoq të shfaqte pikëpamjen se aspiratat e Rusisë janë në përputhje me ato të Afrikës.

“Ne po jetojmë një periudhë historike shumë të rëndësishme, një periudhë ku të gjithë do të vendosim se çfarë lloj bote do të kemi dhe do të lëmë pas për fëmijët dhe nipërit tanë”, tha kryediplomati rus, Sergej Lavrov.

Rusia tani po fuqizon marrëdhëniet me Afrikën që u braktisën pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1990. Vëzhguesit thonë se imazhi i një superfuqie siç ish Bashkimi Sovjetik që kundërshtoi imperializmin perëndimor është ende i pranishëm sot.

“Pas Revolucionit të vitit 1917, Bashkimi Sovjetik po zhvillonte një luftë ideologjike aktive nën sloganin “Liri popujve të kolonizuar!”. Dhe në mendjen afrikane, imazhi që ka Rusia është i një vendi që qëndronte aktivisht kundër dominimit kolonial”, thotë Evgeny Korendyasov nga Akademia ruse e Shkencave.

Lexoni edhe këtë Synimet e diplomacisë ruse në Afrikë

Moskës i janë shkëputur lidhjet nga Perëndimi pas sulmit të saj në Ukrainë, por dyert janë ende të hapura për Rusinë në Azi dhe Afrikë, udhëheqësit e së cilës kanë hezituar të mbështesin sanksionet ndërkombëtare. Kremlini, thonë analistët, nuk do ta humbasë këtë mundësi.

“Shumë vende afrikane nuk i janë bashkuar presionit të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë që ishte iniciuar nga Perëndimi. Ata preferojnë të qëndrojnë mënjanë në këtë polemikë gjeopolitike të Moskës dhe kryeqyteteve perëndimore”, thotë Andrey Kurtonov nga Këshilli rus i Çështjeve Ndërkombëtare.

Lufta në Ukrainë dhe bllokada e dërgesave të grurit ukrainas ka ndezur alarmin në shumë vende afrikane të cilat varen nga ato eksporte dhe tani po përballen me mungesa apo edhe uri. Moska sheh një shans për të fituar bashkëpunimin e këtyre vendeve.

“Tregtia, investimet, energjia, kujdesi shëndetësor publik, siguria ushqimore, pa dyshim janë me interes, sepse janë kaq shumë të lidhura me situatën e sigurisë në Ukrainë. Shtetet afrikane vuajnë për shkak të kufizimeve në dërgesat e grurit”, thotë Nataliya Zaiser nga Unioni i Nismës së Biznesit Afrikan.

Me vizitën e zotit Lavrov, Moska u përpoq të siguronte vendet afrikane se do të vazhdonte t’i furnizonte me grurë dhe të punonte për të rinovuar praninë e saj në një rajon ku ishte harruar prej kohësh.