Grupe qytetarësh serbë në veriun e Kosovës bllokuan të dielën në mbrëmje rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, disa orë para hyrjes në fuqi të vendimeve të qeverisë së Kosovës, për masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe.
Një zëdhënës i policisë tha se reagimi pasoi një lajm të rremë se forcat e posaçme të policisë së Kosovës janë nisur drejt veriut.
Policia bëri të ditur se “ka mbyllur kufirin për qarkullim udhëtarësh dhe makinash vendkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinjë, për shkak të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre vendkalimeve”, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që “të shfrytëzojnë vendkalimet e tjera”.
Policia tha se nuk ka informacione zyrtare për ndonjë plagosje të qytetarëve apo të ndonjë zyrtari policor, “andaj ftojmë dhe iu bëjmë thirrje të gjitha mediave dhe qytetarëve që të mos bien pre e informacioneve-lajme të rreme, të cilat kanë tendencë destabilizimin e situatës dhe krijimin e panikut”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një fjalim të shpërndarë në rrjetet sociale tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç janë përgjegjësit kryesor për zhvillimet në veri.
Ai mes tjerash u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të ndjekin me vëmendje “njoftimet nga qeveria jonë, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, dhe, mos lejoni të dezinformoheni nga mediet e Beogradit zyrtar apo edhe ndonjë medie në Kosovë që me vetëdije u shërben atyre apo pa vetëdije bie pre e tyre. Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit”, tha ai.
Më herët të dielën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk ka asnjë arsye për shtim tensionesh në Kosovë për shkak të zbatimit të masave të reciprocitetit me Serbinë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se Serbia kurrë nuk ka qenë në situatë më të rëndë dhe më të ndërlikuar lidhur me Kosovën.
Nga e hëna të gjithë shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, do të pajisen me një dokument të përkohshëm që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal.
Po nga e hëna më 1 gusht rrjedh afati dy muajsh për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, t’i regjistrojnë ato me targat e Kosovës RKS.
Lexoni edhe këtë Kosova me masa të reja reciprociteti me Serbinë – Beogradi reagon me zemërimBeogradi kundërshton masat e tilla dhe akuzon Prishtinën për veprime kundër qytetarëve serbë të Kosovës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të dielën se “situata për popullin tonë në Kosovë është shumë e ndërlikuar”, ndërsa luti shqiptarët, bashkësinë ndërkombëtare dhe serbët e Kosovës që të ruajnë paqen. "Nëse nuk duan të ruajnë paqen, unë po ju them se Serbia do të fitojë”, tha ai në një konferencë me gazetarë në Beograd.
Në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti mblodhi të dielën Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar zbatimin e vendimeve ndërsa hodhi poshtë çdo mundësi për destabilizimin e situatës.
Your browser doesn’t support HTML5
“Unë jam kryeministër i progresit dhe i shpresës. E di që në fqinjin tonë verior, në skenën politike atje ka shumë politikanë e zyrtarë deri te kreu shtetëror që janë udhëheqës të frikës e frikësimit. Unë besoj që paqja, demokracia, sundimi i ligjit, Republika, kushtetutshmëria nuk kanë alternativë, andaj edhe uroj, besoj dhe punoj që nesër gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë. Ne nuk do t’ua marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë. Ne do t’ua shtojmë një fletë-deklarim. Pra, ata vijnë me dokumentet e lëshuara nga Serbia. Ne nuk ua marrim ato. Ne ua lëshojmë një fletë-deklarim sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njësoj me çdo qytetar të Republikës sonë kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi. Pra, nga nesër, ata do të kenë një dokument më shumë, jo më pak”, tha kryeministri Kurti gjatë një konference me gazetarë në Prishtinë.
Lexoni edhe këtë Reciprociteti me Serbinë, temë debati në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të KosovësNë vitin 2011 Kosova dhe Serbia kishin rënë dakord për një marrëveshje mbi lëvizjen e lirë në bazë të së cilës dokumentet e të dyja palëve zëvendësohen me një fletë-deklarim të përkohshëm. Beogradi ngulë këmbë se marrëveshja nuk ka të bëjë me serbët në veriun e Kosovës.
Ndërkaq që nga fillimi i tetorit të vitit të kaluar Kosova dhe Serbia zbatojnë një marrëveshje të përkohshme sipas së cilës targave të makinave u vendosën fletë ngjitëse aty ku shihen simbolet shtetërore të të dyja palëve. Marrëveshja e përkohshme u arrit më 30 shtator pas disa ditësh trazirash në veriun e Kosovës, ku grupe serbësh bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit për përdorimin e targave.
Ndonëse ishte vendosur një afat gjashtë muajsh për një marrëveshje përfundimtare rreth kësaj çështjeje, më 13 maj palët dështuan të pajtohen rreth saj.
Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011 dhe që atëherë janë arritur një varg marrëveshjesh, por zbatimi i tyre është ende një sfidë.
Serbia e mbështetur nga Moska, kundërshton pavarësinë e Kosovës që është njohur nga vendet kryesore perëndimore.