Presidenti Biden, thirrje ligjvënësve të miratojnë paketën për klimën dhe shëndetësinë

Presidenti Joe Biden tha se marrëveshja për të luftuar inflacionin, arritur mes udhëheqësit të shumicës së Senatit, Chuck Schumer, dhe senatorit skeptik Joe Manchin, ishte një "dhuratë" për familjet amerikane.

“Ky projekt-ligj do të ishte legjislacioni më i rëndësishëm në histori për të trajtuar krizën klimatike”, tha Presidenti Biden. Ai tha se projektligji do të ulë gjithashtu kostot e kujdesit shëndetësor për miliona amerikanë që blejnë sigurimin e tyre shëndetësor sipas Aktit të Kujdesit të Përballueshëm.

Presidenti Biden u zotua se paketa nuk do të rrisë taksat për këdo që fiton më pak se 400,000 dollarë në vit. Në vend të kësaj, tatimi minimal i korporatave prej 15% do të ndihmojë në financimin e kostove të reja.

Ai pranoi se produkti përfundimtar ishte një kompromis, por ishte optimist se do të fitonte mbështetje në Kongres.

“Lutja ime është: Lëreni politikën mënjanë. Miratoni projektligjin", tha presidenti Biden.

Paketa prej 739 miliardë dollarësh, jo aq sa presidenti Biden parashikonte dikur, mbetet një arritje potencialisht e jashtëzakonshme për partinë, me objektiva të vendosura prej kohësh për trajtimin e kujdesit shëndetësor dhe klimës, duke rritur taksat për të pasurit dhe korporatat e mëdha dhe duke reduktuar borxhin federal.

Senati pritet të votojë për masën e gjerë javën e ardhshme, duke i dhënë presidentit dhe partisë së tij një fitore të papritur në zgjedhjet e nëntorit, në të cilat kontrolli i tyre në kongres është në rrezik. Një votim në Dhomën e Përfaqësuesve do të pasonte, ndoshta më vonë në gusht, me kundërshtimin unanim republikan në të dyja dhomat, në dukje të sigurt.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer u tha demokratëve se tani kanë një mundësi për të arritur dy përparësi "shumë të rëndësishme" për kujdesin shëndetësor dhe ndryshimin e klimës, nëse qëndrojnë së bashku dhe miratojnë marrëveshjen që ai ndërmjetësoi me senatorin Manchin.