Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njoftoi të mërkurën se Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e saj për sekuestrimin e disa kompanive dhe pronave të shumta në emër të Anton Gjinajt (Pashuk Gjini), sipërmarrës me veprimtari të gjerë kryesisht në fushën e ndërtimit. Gjinaj rezulton se në vitin 2010 është dënuar nga një gjykatë në Spanjë, me 8 vjet e 9 muaj burgim “për vepren penale të trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Grupi ku ai bënte pjesë kishte organizuar dhe koordinuar në vitin 2006 importin, magazinimin dhe shitjen e 50 kilogramëve heroinë në Spanjë, në zonat përreth qyteteve Murcia dhe Alicante. Një vit pas dënimit në Spanjë, ai ka ndërruar emrin nga Pashuk Gjini, në Anton Gjinaj.
Viin e kaluar, ai u arresua nga policia malazeze, në pikën kufitare Rozaje, mbi bazën e një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet spanjolle. Një muaj më vonë, SPAK ka regjistruar procedimin pasuror ndaj tij. “Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit Anton (Pashuk) Gjinaj (Gjini) dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri dhe Spanjë”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Janë të paktën 6 kompani të cilat janë sekuestruar. Mes tyre Alesio-2014, me një aktivitet të zgjeruar në fushën e prodhimit të betonit dhe ndërtimit, e cila ka mundur të përfitojë dhe fonde publike, si në rastin e ndërhyrjeve në kuadër të planit të rindërtimit nga pasojat e tërmetit. Gjithashtu janë sekuestruar 13 prona të tjera, si apartamente, ndërtesa, dhe sipërfaqe të shumta toke, si truall ashtu dhe arë, sikundër dhe 4 automjete.