Me 89 vota për dhe asnjë kundër, Parlamenti i Kosovës ratifikoi të enjten marrëveshjen e programit kompakt të Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit me Kosovën, që parasheh investimin e mbi 236 milionë dollarëve në sektorin e energjisë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, duke paraqitur projektligjin tha se programi Kompakt paraqet investimin më të madh në sektorin e energjisë që nga paslufta dhe është shtyllë e vazhdimit të marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit janë pajtuar t’i japin Kosovës grant në vlerë prej 202 milionë dollarëve që është granti më i madh i njëhershëm në historinë e Kosovës së pasluftës. Qeveria e Kosovës është zotuar se do të mbështesë programin me 34.7 milionë dollarë si bashkëfinancim, duke e çuar vlerën totale të tij në 236.7 milionë dollarë. Programi Kompakt synon të stabilizojë furnizimin me energjinë elektrike, të zhvillojë fuqinë punëtore profesionale dhe gjithëpërfshirëse në energji si dhe të mbështesë sektorin privat në investime në energji”, tha ai.
Projekti pritet të zbatohet në tërësi deri në vitin 2027.
Lexoni edhe këtë SHBA, Kosova nënshkruajnë marrëveshjen 236 milionë dollarëshe në fushën e energjisëMarrëveshja u mbështet edhe nga partitë opozitare të cilat kritikuan qeverinë për siç thanë reduktimin e marrëveshjes duke mos përfshirë edhe investimet në gaz dhe termocentralin me gaz.
“Ne prapë mendojmë se më e mirë ka qenë që të qëndrojmë në projektin e gazsjellësit. Do të ishte projekt strategjik shumë më i rëndësishëm, pra Republika e Kosovës do të kishte edhe një burim shtesë të energjisë elektrike por, megjithatë, prapë është mirë që ky projekt po implementohet dhe këto mjete tashmë do të investohen në ato bateri për prodhimin e energjisë që kemi nga burimet tona qoftë nga termocentralet apo hidrocentralet”, tha shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.
“Ne mbështesim këtë marrëveshje, por kjo ka mundur të ndodh edhe para shumë kohe, para dy vite e gjysmë. Pse u desh që të pritej aq shumë, të vonohej aq shumë kjo marrëveshje, pse nuk keni vizion të qartë dhe se vetëm kur jeni ju në pushtet janë të rëndësishme marrëveshjet ndërkombëtare”, tha Valentina Bunjaku Rexhepi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Ne si grup parlamentar i themi po të madhe kësaj marrëveshje sepse mbi të gjitha është interesi i qytetarëve tonë”, tha Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Marrëveshja Kompakt synon të sigurojë pavarësinë e sektorit të energjisë në Kosovë, duke u përqendruar në ruajtjen e energjisë elektrike për periudha kur nevoja është më e madhe, posaçërisht në kohë dimri kur rritet kërkesa për energji. Projekti po ashtu ka për qëllim edhe rritjen e burimeve njerëzore, sidomos trajnimin e grave dhe punësimin e tyre në sektorin energjetik të Kosovës, një fushë që kryesisht dominohet nga burrat.