Kim Jong Un kërcënon të përdorë armët bërthamore mes tensioneve me SHBA-në dhe Korenë e Jugut

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, paralajmëroi se është gati të përdorë armët e tij bërthamore në konflikte të mundshme ushtarake me Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut, thanë mediat shtetërore të enjten, ndërsa ai përdori një retorikë të zjarrtë kundër rivalëve që ai thotë se po e shtyjnë Gadishullin Korean në prag të luftës.

Fjalimi i tij për veteranët e luftës në 69-vjetorin e përfundimit të Luftës Koreane të viteve 1950-1953, me sa duket kishte për qëllim të nxiste unitetin e brendshëm në vendin e varfër, mes vështirësive ekonomike të lidhura me pandeminë. Ndërsa zoti Kim i ka kërcënuar gjithnjë e më shumë rivalët e tij me armë bërthamore, thonë vëzhguesit, nuk ka gjasa që ai t'i përdorë ato fillimisht kundër ushtrive superiore të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.

"Forcat tona të armatosura janë plotësisht të përgatitura për t'iu përgjigjur çdo krize, dhe forcat tona për parandalimin e luftës bërthamore janë të gatshme të mobilizojnë fuqinë e tyre absolute me përgjegjësi, saktësisht dhe me shpejtësi në përputhje me misionin e tyre”, tha Kim Jong Un në fjalimin e së mërkurës, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve KCNA.

Ai akuzoi Shtetet e Bashkuara për "demonizimin" e Koresë së Veriut për të arsyetuar politikat e saj armiqësore. Ai tha se stërvitjet ushtarake SHBA-Kore e Jugut që synojnë Korenë e Veriut, tregojnë "standardet e dyfishta" dhe veprime prej “gangsteri” të SHBA-së, sepse i cilëson aktivitetet rutinë ushtarake të Koresë së Veriut, një referencë e dukshme ndaj provave të saj me raketa, si provokime ose kërcënime.

Kim Jong Un gjithashtu pretendoi se qeveria e re e Koresë së Jugut e presidentit Yoon Suk Yeol udhëhiqet nga "maniakë konfrontimi" dhe "gangsterë" të cilët kanë shkuar më tej se qeveritë e mëparshme konservatore të Koresë së Jugut. Që nga marrja e detyrës në maj, qeveria e presidentit Yoon ka lëvizur për të forcuar aleancën ushtarake të Seulit me Shtetet e Bashkuara dhe për të forcuar kapacitetin e tij për të neutralizuar kërcënimet bërthamore të Koresë së Veriut.

“Të flasësh për veprime ushtarake kundër kombit tonë, i cili posedon armë nga të cilat ata kanë më shumë frikë, është absurde dhe një veprim shumë i rrezikshëm vetëvrasës”, tha Kim Jong Un. "Një përpjekje e tillë e rrezikshme do të ndëshkohet menjëherë nga forcat tona dhe qeveria e Yoon Suk Yeol dhe ushtria e tij, do të asgjësohen".

Lexoni edhe këtë Kim Jong Un: Pheniani mund të përdorë armët bërthamore, nëse provokohet

Moon Hong-sik, një zëvendës zëdhënës në ministrinë e Mbrojtjes të Koresë së Jugut, përsëriti të enjten një qëndrim të mëparshëm se Koreja e Jugut ka rritur kapacitetin e saj ushtarak dhe qëndrimin e përbashkët mbrojtës me Shtetet e Bashkuara për t'u përballur me kërcënimet bërthamore në rritje të Koresë së Veriut.

Në prill, Kim Jong Un tha se Koreja e Veriut mund të përdorë armët bërthamore nëse kërcënohet, duke thënë se ato "nuk do të kufizohen kurrë në misionin e vetëm të parandalimit të luftës". Ushtria e Kimit gjithashtu ka kryer prova me raketa me aftësi bërthamore që mund të godasin territorin e SHBA-së dhe Koresë së Jugut. Zyrtarët e SHBA-së dhe Koresë së Jugut kanë thënë vazhdimisht në muajt e fundit se Koreja e Veriut është gati të kryejë provën e saj të parë bërthamore në pesë vjet.

Kim Jong Un po kërkon mbështetje më të madhe publike pasi ekonomia e vendit të tij është goditur nga mbyllja e kufijve për shkak të pandemisë, sanksionet e udhëhequra nga SHBA-ja dhe drejtimi i keq i tij. Në muajin maj, Koreja e Veriut gjithashtu pranoi shpërthimin e rasteve të para të COVID-19, megjithëse shkalla e sëmundjes dhe vdekjes është gjerësisht e diskutueshme në një vend të cilit i mungon kapaciteti mjekësor modern për ta trajtuar atë.

"Retorika e Kimit u frynë kërcënimeve të jashtme për të arsyetuar regjimin e tij të përqendruar në ushtri dhe ekonominë në vështirësi", tha Leif-Eric Easley, një profesor në Universitetin Ewha në Seul. "Programet bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, por Kimi përpiqet të përshkruajë grumbullimin e tij destabilizues të armëve si një përpjekje të drejtë për vetëmbrojtje".

Ekspertët thonë se Koreja e Veriut ka të ngjarë të shtojë kërcënimet kundër Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, ndërsa aleatët përgatiten të zgjerojnë stërvitjet gjatë verës. Në vitet e fundit, ushtritë e Koresë së Jugut dhe të SHBA-së kanë anuluar ose pakësuar disa nga stërvitjet e tyre të rregullta për shkak të shqetësimeve rreth COVID-19 dhe për të mbështetur diplomacinë tashmë të ngecur të udhëhequr nga SHBA-ja, që synon të bindë Korenë e Veriut të heqë dorë nga programi i saj bërthamor në këmbim të përfitimeve ekonomike dhe politike.

Gjatë fjalimit të së mërkurës, Kim Jong Un tha se qeveria e tij kohët e fundit vendosi detyra për të përmirësuar aftësinë e saj ushtarake më shpejt për t'iu përgjigjur fushatave të trysnisë ushtarake nga armiqtë e saj, duke lënë të kuptohet se synon të vazhdojë me një provë të pritshme bërthamore.

Por, Cheong Seong-Chang nga Instituti privat Sejong në Korenë e Jugut tha se Koreja e Veriut nuk do të kryejë provën bërthamore përpara se Kina, aleatja e saj kryesore dhe ofruesja më e madhe e ndihmës, të mbajë kongresin e Partisë Komuniste në vjeshtë. Ai tha se Kina është e shqetësuar se një provë bërthamore e Koresë së Veriut mund t'i japë Shteteve të Bashkuara një justifikim për të rritur partneritetin e sigurisë me aleatët e saj e që mund të përdoret për të kontrolluar ndikimin kinez në rajon.