Rikthimi i Trumpit në Uashington DC

Hera e fundit që Donald Trumpi kishte folur para një turme në Uashington ishte në ditën e tij të fundit si president – vetëm disa javë pas ngjarjeve vdekjeprurëse të 6 janarit 2021. Më shumë se 18 muaj më pas, ai u kthye në kryeqytetin amerikan me aleatë të pasur për fjalimin e tij të parë të madh politik që kur la detyrën. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell njofton nga Uashingtoni.

Ish-presidenti Donald Trump përsëriti të martën pretendimin e tij të rremë se ai fitoi zgjedhjet e vitit 2020 gjatë një fjalimi mbi një gamë çështjesh politike që shënoi kthimin e tij sfidues në Uashington – dhe një rikthim të mundshëm në politikë.

"Kandidova herën e parë dhe fitova. Pastaj kandidova për herë të dytë dhe dola shumë më mirë. Ne morëm miliona e miliona vota. Dhe e dini çfarë? Kjo do të jetë një histori për një kohë të gjatë. Çfarë turpi ishte. Por mund të na duhet të garoj përsëri”, tha ish presidenti.

Kjo erdhi në gjysmën e një fjalimi 90-minutësh, gjatë të cilit ai gjithashtu përshkroi atë që e quajti axhendën e sundimit të "ligjit dhe rendit" që do të merrte një qëndrim më të ashpër ndaj emigrantëve dhe shkelësve të drogës dhe do t'i jepte forcave të zbatimit të ligjit fuqi të zgjeruara.

Zëri i Amerikës pyeti mbështetësin e Trumpit dhe ish-kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich se çfarë mendonte për pretendimin e Trumpit për fitoren e zgjedhjeve, që është në qendër të një serie seancash dëgjimore në Kongres që shikojnë një përpjekje të dhunshme për kryengritjeje në Kapitolin e SHBA më 6 janar 2021. Ata po përpiqeshin të ndalonin Kongresin të çertifikonte fitoren e Presidentit Joe Biden.

"Është e habitshme që ju mund të merrni nga një fjalim dy-orësh vetëm 90 sekondat që ju interesojnë".

Një ditë më parë, Zëri i Amerikës pyeti Sekretaren e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, nëse administrata Biden do ta ndiqte fjalimin e Trumpit.

"Kjo nuk është diçka që po ndjekim këtu. Nuk e di se për çfarë do të vijë të flasë".

Disa analistë thonë se vendimi i zotit Trump për të mbjellë dyshime për rezultatin e zgjedhjeve është tregues i rëndësishëm.

"Shumica e ndërhyrjeve dhe ideve të tij politike ishin legjitime, sepse të paktën ai po luante brenda rregullave. Të paktën këtë duhet të lejojë dhe të verifikojë një demokraci kushtetuese me kontrolle dhe ekuilibra dhe procese demokratike. Megjithatë, kur ndalon së respektuari rezultatin e zgjedhjeve, vetëm sepse të dhemb ty personalisht, ky është një problem krejtësisht i ndryshëm. Mendoj se me të vërtetë hyn shumë shpejt në territor të paligjshëm”, thotë Michael O'Hanlon me Institutin Brookings.

Dhe fjalët e Trumpit mund të jehojnë përtej brigjeve të Amerikës.

“Ky fjalim e bën të vështirë, edhe një herë, që demokratët dhe republikanët të shkojnë nëpër botë dhe t'u thonë njerëzve se vendi ynë është një fanar i demokracisë. Kur rreth 30 për qind e amerikanëve i blejnë këto gjepura, kur njerëzit i bëjnë duartrokitje të vazhdueshme, siç bënë ndonjëherë sonte - edhe nëse ai nuk fiton kurrë një post tjetër, kjo tregon se demokracia nuk është me të vërtetë forca dominuese në të menduarit amerikan sot”, thotë Jeremi Suri me Universitetin e Teksasit në Austin.

Ngjarjet e 6 janarit u rishfaqën në mënyrë dramatike me detaje të përpikta muajin e kaluar, në një seri seancash dëgjimore të realizuara me cilësi nga kongresi. Ato shfaqën rrjedhën e ngjarjeve nga mesazhi i zotit Trump për vendin pas kryengritjes.

“Nuk dua të them se zgjedhjet kanë përfunduar. Thjesht dua të them që Kongresi ka çertifikuar rezultatet pa thënë se zgjedhjet kanë përfunduar.”

Të martën, në Uashington, ai e përsëriti këtë pohim me zë të lartë.