Që kur filloi agresioni rus në Ukrainë, zyrtarët më të lartë të Rusisë kanë përmendur shpesh rastin e Kosovës për të arsyetuar veprimet e tyre ndërsa së fundmi kanë akuzuar Kosovën se ka dërguar “mercenarë” për të luftuar përkrah Ukrainës. Autoritetet e Kosovës kanë thënë se pretendimet ruse janë të pavërteta dhe pjesë e propagandës ruse kundër Kosovës. Ekspertët thonë se Kosova duhet të rrisë kapacitetet institucionale për t’u përballur me propagandën ruse.
Your browser doesn’t support HTML5
Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, Kosova është përmendur shpesh, qoftë si shembull për ndërhyrjen ruse, apo edhe si pjesë e pretendimeve ruse për përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftën e Ukrainës.
Sipas një liste të Ministrisë së Brendshme ruse që është publikuar nga ambasada e Rusisë në Shqipëri muajin e kaluar, 156 mercenarë nga Kosova janë përfshirë në luftën e Ukrainës, 61 prej tyre janë eliminuar, 60 janë kthyer ndërsa 35 mbetën ende në terren.
Zëvendës ministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, thotë për Zërin e Amerikës se këto pretendime të zyrtarëve të Federatës Ruse janë të pavërteta.
“Kosova nuk është turpëruar nga mbështetja që i ka dhënë Ukrainës dhe këtë e ka vendosur qysh më 24 shkurt ku vazhdon sulmi i Federatës Ruse në Ukrainë dhe mbështetjen e kemi bërë në formë të hapur dhe zyrtare siç tashmë dihet për popullin ukrainas por gjithashtu edhe masat sanksionuese që i kemi miratuar në linjë të plotë me politikën e jashtme të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj pretendimet për të ashtuquajturit “mercenarë” janë absolutisht të pavërteta dhe është një luftë speciale të cilën Federata Ruse e bën edhe ndaj vendit tonë”, tha zoti Ahmeti.
Instituti KIPRED në Prishtinë ka vite që publikon raporte lidhur me propagandën ruse kundër Kosovës.
Drejtori i këtij instituti, Lulzim Peci thotë për Zërin e Amerikës se nuk ka asnjë qytetar nga Kosova që ka shkuar në Ukrainë, ndërsa nënvizon faktin se pjesëmarrja në luftërat e huaja është vepër e dënueshme me ligj.
“Kjo që po ndodh është pjesë e propagandës ruse, e cila është ndërtuar me dekada dhe tash ajo i ka intensitetet e veta pra rënie apo ngritje. Por, Kosova do të përdoret nga Rusia deri sa ne t’i zgjidhim marrëdhëniet dypalëshe me Serbinë, por ndoshta edhe më tutje”, tha ai.
Pak ditë para fillimit të agresionit ndaj Ukrainës, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, bëri thirrje që bashkësia ndërkombëtare të njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, si “pasqyrim i ligjshëm i zgjedhjes së banorëve lokalë”, duke e krahasuar atë me pavarësinë e Kosovës. Zyrtarët rusë në raste të ndryshme kanë mohuar edhe krimet e Serbisë të kryera në kosovë.
“Nuk është e befasishme që Kosova përmendet kaq shpesh prej tij. Sigurisht që Kosova nuk ka aspak lidhje si rast i procesit të pavarësisë me të ashtuquajturat republika që janë pjesë integrale të shtetit të Ukrainës, sepse Kosova doli si shtet, si Republikë nga një proces i dhunshëm i shpërbërjes së Jugosllavisë gjatë të cilit Serbia udhëhoqi një numër luftërash dhe një projekt gjenocidal”, tha zëvendës ministri Ahmeti.
Drejtori i Qendrës së Kosovës për studime të sigurisë, Mentor Vrajolli thotë se rasti i Ukrainës i ka zhveshur qëllimet e këqija ruse ndaj Kosovës, duke e ndërlidhur atë me probleme të caktuara.
“Shpeshherë Rusia arrin që të shtrijë ndikimin e vet edhe në organizatat të cilat në një farë forme janë krijuar për t’u ballafaquar me sfida që Rusia përcjellë. Ta zëmë qëndrimi i Spanjës karshi Kosovës në shumë institucione i ngjason rrëfimeve të Rusisë në raport me Kosovën dhe thyerja e këtij uniteti dhe mosgatishmëria e vendeve të NATO-s dhe BE-së për t’u ballafaquar të bashkuar në politika të përbashkëta shpeshherë i jep mundësi Rusisë që t’i përdorë këto tregime kundër edhe vet NATO-s dhe BE-së”, thotë ai.
“Rusia ka kohë të gjatë që e ka shtuar propagandën ndaj Kosovës të cilën e përdorë si mjet për qëllimet e veta. Këtë e ka bërë me sulmin në Gjeorgji gjatë vitit 2008, në Krime dhe tash me agresionin ndaj Ukrainës. Rusia këtë do të vazhdoj ta bëj dhe Kosova është njëra prej pikave ku është përqëndruar propaganda e Rusisë”, tha Lulzim Peci nga Instituti Kipred.
Zoti Peci thotë se Kosova nuk ka asnjë subjekt politik që është prorus dhe kjo sipas tij është një përparësi e madhe kundruall vendeve tjera të rajonit. Megjithatë, ai thotë se Kosova ka mangësi në përballjen institucionale me propagandën ruse.
“Nuk mjaftojnë vetëm deklarata e tilla, të themi se (Vlladimir) Putini është kriminel apo diçka e ngjashme, mendoj se ne kemi nevojë të ndërtojmë një politikë të mirëfilltë ndaj Rusisë. Ne nuk do të mund ta ndërtojmë këtë politikë si duhet pa e njohur mirë edhe Rusinë”, tha ai.
“Lufta në Ukrainë mund të ketë ndikim edhe tek ne (në Kosovë) për faktin që Rusia është e interesuar që presioni i madh që i është vënë në luftën në Ukrainë të bartet edhe diku tjetër. Kështu që ne duhet të jemi vigjilentë dhe mekanizmat ndërkombëtarë në këtë rast KFOR-i duhet të jetë vigjilentë dhe të shtoj kontrollet kufitare në pjesën veriore të vendit në kufirin me Serbinë për faktin se rreziku që të synohet të inskenohet ndonjë konflikt i brendshëm në Kosovë është ende i pranishëm”, tha drejtori i Qendrës së Kosovës për studime të sigurisë, Mentor Vrajolli.
Zëvendës ministri i punëve të jashtme, Kreshnik Ahmeti thotë se institucionet përmes rrjetit diplomatik po i demantojnë pretendimet ruse.
“Në shumicën e rasteve këto pretendime tashmë në vetvete janë të demantuara sepse nuk mund të jetë burim i besueshëm i informacionit një vend si Federata Ruse, e cila njihet për lajme të rreme pas 24 shkurtit dhe ka humbur absolutisht kredibilitetin e saj”, tha ai.
Analistët e çështjeve të sigurisë thonë se të gjitha lajmet e rreme të shpërdnara nga burimet ruse kanë për qëllim që ta paraqesin Kosovën si një vend të dështuar.