Presidenti Biden po vazhdon të përmirësohet pas infektimit me COVID-19 ndërsa Shtetet e Bashkuara përballen me një kërcënim të ri shëndetësor. Ditë më parë, shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë e shpalli linë e majmunit emergjencë të shëndetit publik të përmasave ndërkombëtare. Por a janë SHBA-të të përgatitura për t’u përballur me një shpërthim të ri infeksionesh?
Your browser doesn’t support HTML5
Të shtunën, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë e shpalli virusin, që është tipik për vendet e Afrikës qendrore dhe që ka infektuar më shumë se 16,000 njerëz në 75 shtete, një emergjencë të shëndetit publik të përmasave botërore. Lija e majmunit u zbulua në Shtetet e Bashkuara në muajin maj dhe deri tani janë raportuar 3,000 raste.
Emergjencat e deklaruara më parë nga OBSH-ja janë pandemia e koronavirusit, shpërthimi i Ebolës në vitin 2014 në Afrikën Perëndimore dhe virusi Zika që goditi Amerikën Latine në vitin 2016.
Koordinatori kryesor i Shtëpisë së Bardhë për pandemitë, Dr. Ashish Jha, thotë se vendi është i përgatitur
“Do të vazhdojmë të punojmë për shtimin e testeve, vaksinave dhe trajtimit dhe të sigurohemi që amerikanët i kuptojnë rreziqet dhe sfidat që sjell ky virus dhe se çfarë po bën administrata për t’u përballur me situatën”.
Simptomat i ngjajnë gripit, me skuqje të lëkurës që duken si puçrra ose flluska. Mjekët thonë se kjo nuk është një pandemi në zhvillim e sipër. Ndryshe nga COVID-19, lija e majmunit përhapet vetëm përmes kontaktit të ngushtë dhe ekziston një vaksinë kundër virusit.
Administrata e Presidentit Biden thotë se shpreson të sigurojë më shumë se 6.9 milionë doza vaksine deri nga mesi i vitit 2023. Organet e shëndetësisë po ofrojnë falas më shumë se 1.7 milionë kura për trajtimin e sëmundjes.
Koordinatori Ashish Jha tha se administrata po kërkon gjithashtu të përshpejtojë një reagim global, megjithëse ai nuk dha detaje kur u pyet nga Zëri i Amerikës.
“Vazhdojmë të kemi partneritete të ngushta me shumë vende për ndërtimin e kapaciteteve laboratorike, njëlloj sikur testimet në Shtetet e Bashkuara. Është e rëndësishme që edhe vendet e tjera të kenë këto aftësi. Lija e majmunit është përhapur në shumë shtete. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me kolegët tanë evropianë dhe vende të tjera të botës. Mendoj se shpallja e emergjencës së shëndetit publik do të nxisë edhe më tej reagimin global”.
Mjekët thonë se nuk ka rëndësi se si quhet ky shpërthim, por është e domosdoshme që sistemet shëndetësore ta ndalojnë këtë sëmundje, e cila në fakt e ka origjinën nga brejtësit dhe jo nga majmunët.
Specialistët kanë këshilluar fushata botërore vaksinimi. Deri tani, rastet më të shumta në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë kanë qënë mes meshkujve që kanë patur marrëdhënie intime me meshkuj.
Dr. Amesh Adalja është studiues në Qendrën Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore.
“Nëse qeveria amerikane dëshiron të jetë serioze lidhur me kontrollin e lisë së majmunit, ata duhet të gjejnë një mënyrë për të kontrolluar origjinën e virusit. Kjo do të kërkojë vaksinim më të gjërë në vendet ku virusi është tipik. Ky është një veprim legjitim që duhet ndërmarrë në këtë pikë”.
Të enjten e kaluar Presidenti Biden njoftoi se ishte infektuar me COVID-19. Një ditë më parë presidenti tha se po përmirësohej dhe se vazhdonte punën i izoluar nga të tjerët.
“Çdo ditë ndihem më mirë. Kam pak dhimbje fyti dhe kollë, por po përmirësohem. Kam pak bezdisje të fytit por në fakt më shumë në hundë se kudo tjetër. Mendoj se jam drejt shërimit të plotë, me dëshirën e Zotit”.
Presidenti tha se shpreson që deri nga fundi i javës t’i kthehet plotësisht punës në Zyrën Ovale.