SHBA, 50 vjetori i raportit mbi studimin e sifilizit dhe pasojat e tij

Tuskegee Syphilis Study

Pesëdhjetë vjet më parë gazetarja amerikane Jean Heller publikoi një artikull mbi një studim tronditës të sëmundjeve nga qeveria amerikane, gjatë të cilit humbën jetën 161 afrikano-amerikanë. Në këmbim të pjesëmarrjes në studimin e kryer në Alabama, afrikano-amerikanët do të merrnin vizita mjekësore dhe ushqim falas. Por, ata nuk e dinin se një e treta e tyre nuk do të merrnin asnjë trajtim për aneminë, lodhjen dhe sifilizin. Pasojat e këtij studimi të gabuar vazhdojnë të ndjehen edhe sot në komunitetin afrikano-amerikan.

Më 25 korrik 1972, Jean Heller, një gazetare investigative e agjencisë Associated Press, që në atë kohë ishte 29 vjeç, tronditi botën me një histori mbi atë që tani njihet si "Studimi Tuskegee".

Heller po raportonte për Konventën Kombëtare të demokratëve në vitin 1972, kur një koleg i dha një zarf me informacion nga një ish-zyrtar lokal i Shërbimit Shëndetësor Publik të Shteteve të Bashkuara.

Zarfi kishte dokumente që tregonin se si për katër dekada, qeveria e Shteteve të Bashkuara u kishte mohuar qindra afrikano-amerikanëve të varfër trajtimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, në mënyrë që studiuesit të mund të vëzhgonin dëmet e tyre në trupin e njeriut.

Gazetarja Heller mori konfirmimin që i nevojitej në një revistë mjekësore që kishte ndjekur "përparimin" e studimit.

"Megjithë padrejtësitë ndaj afrikano-amerikanëve që ekzistonin në vitin 1932, kur filloi studimi, nuk mund të besoja se një agjenci e qeverisë federale mund të lejonte vazhdimin për 40 vjet të një studimi të gabuar", thotë gazetarja Heller.

Duke filluar nga viti 1932, Shërbimi i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Institutin e famshëm Tuskegee, filloi të rekrutonte burra me ngjyrë në qarkun Macon të Alabamës. Studiuesit u thanë atyre se duhej të trajtoheshin për "gjakun e keq", një term i përdorur për të përshkruar disa sëmundje, duke përfshirë aneminë, lodhjen dhe sifilizin. Trajtimi i tyre në atë kohë bëhej kryesisht me doza arseniku dhe merkuri.

Në këmbim të pjesëmarrjes së tyre, afrikano-amerikanët do të merrnin ekzaminime mjekësore falas, ushqim falas dhe mbulimin e shpenzimeve të varrimit, me kusht që qeveria të lejohej të kryente një autopsi.

Në fund, më shumë se 600 burra u regjistruan. Ajo që nuk iu tha atyre ishte se rreth një e treta nuk do të merrte asnjë trajtim, ndonëse penicilina filloi të përdorej në vitet 1940.

Babai i Lillie Tyson Head, Freddie Lee Tyson, ishte një nga pjesëmarrësit që nuk mori asnjë trajtim.

"Ata u thanë të gjithë pjesëmarrësve se do të trajtoheshin për sëmundjet e tyre. Por ata nuk u trajtuan", thotë zonja Head, presidente e Fondacionit "Zërat për Trashëgiminë e Etërve Tanë".

Në kohën kur u publikua shkrimi i gazetares Heller, të paktën shtatë nga burrat në studim kishin vdekur si rezultat i drejtpërdrejtë i dhimbjes së shkaktuar në provat klinike dhe 154 të tjerë nga sëmundjet e zemrës.

Gati katër muaj pasi publikimit të lajmit, studimi u ndërpre.

Studimi vazhdon të hedhë një hije të rëndë mbi vendin, ndërsa shumë afrikano-amerikanë përmendin studimin në Tuskegee si justifikim për të mos kërkuar trajtim mjekësor, ose për të mos marrë pjesë në provat klinike.

"Ne nuk mund të harrojmë atë që ndodhi në Tuskegee. Në një farë mënyre, COVID-i ndihmoi në mbajtjen gjallë të mësimeve të nxjerra nga studimi në Tuskegee", thotë zonja Heller, e cila u tërhoq nga gazetaria dhe tani shkruan romane.

Për zonjën Head dhe pasardhësit e tjerë, është e rëndësishme të interpretohet ndryshe historia rreth studimit dhe afrikano-amerikanëve që morën pjesë në të.

"Burrat që morën pjesë në këtë studim ishin të dashurit e dikujt. Ata ishin djem të dikujt", thotë zonja Head.