Zjarret në Kaliforni djegin mijëra hektarë pyje

Zjarret pranë parkut kombëtar Yosemite në Kaliforni po përhapen me shpejtësi ndërsa ekipe të shumta nga ajri dhe toka po përpiqen të frenojnë zjarrin më të madh të këtij viti. Mijëra banorë janë detyruar të evakuohen ndërsa temperaturat e larta po ndikojnë në përhapjen e zjarreve.

Your browser doesn’t support HTML5

Zjarret në Kaliforni djegin mijëra hektarë pyje


Një zjarr që filloi të premten, mes të nxehtit ekstrem, po vazhdon të djegë me shpejtësi të madhe mijëra hektarë pyje duke rrezikuar edhe parkun kombëtar Yosemite të Kalifornisë.


“Kisha kohë vetëm sa të marr çertifikatat e lindjes dhe foton e prindërve”, thotë një banor që humbi shtëpinë.


Mijëra banorë janë evakuuar nga qyteti “Mariposa Pines” ndërsa ekipet e zjarrfikësve po luftojnë nga ajri dhe toka me zjarrin më të madh të vitit i cili po rrezkon pemët e lashta “sequoia”.


“Kjo është shtëpia jonë. Do bëjmë ç’të mundemi”, thotë një banor i detyruar të lërë shtëpinë e cila rrezikohet nga zjarri.


Rreth dy mijë zjarrfikës luftuan me flakët e zjarrit të quajtur “Oak Fire” (në Kaliforni zjarret emërtohen në bazë të vendit ku fillon zjarri, një mënyrë për të informuar banortë për vendndodhjen).

Ata po përdorin avionë çisternë që hedhin ujë me solucione që shuajnë zjarrin. Në tokë ata po përdorin buldozerë dhe makineri të rënda në kushte mjaft të vështira, përfshirë terrenin e thepisur, temperaturat e skajshme dhe pyjet dhe shkurret e thata që marrin flakë menjëherë.


Deri të dielën në mëngjes, zjarri kishte djegur një sipërfaqe pyjore prej afro 6 mijë hektarësh, për krahasim më shumë se gjysma e sipërfaqes së qytetit të Parisit. Zjarrfikësit nuk kanë qenë në gjendje të ndalojnë furinë e zjarrit që po përhapet, njoftojnë zyrtarët e pyjeve të Kalifornisë.


Më shumë se 3 mijë banorë janë urdhëruar të evakuohen ndrësa 2 mijë të tjerë pritet të urdhërohen të evakuohen ndërsa zjarri përparon me shpejtësi. Autoritetet po hetojnë shkakun e zjarrit.