Shqipëri, presidenti i ri Bajram Begaj bën betimin

  • Armand Mero

Presidenti i ri Bajram Begaj, bën betimin në parlament

Në Shqipëri, presidenti i zgjedhur Bajram Begaj, bëri sot pasdite betimin në parlament, ku ai mbajti dhe fjalimin e parë si kryetar i Shtetit. Ai vuri theksin në disa nga momentet kyçe që po kalon vendi, që nga procesi i integrimit, pas nisjes së procesit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian, te kriza e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë, apo dhe situata politike e cila përgjithësisht mbetet e tensionuar.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëri, presidenti i ri Bajram Begaj bën betimin

“Unë e njoh, e mbështes dhe e respektoj punën e qeverisë. Por përpjekja dhe dëshira nuk mund të justifikojnë asnjë dështim. Unë e njoh, e mbështes dhe e respektoj opozitën shqiptare dhe vlerat që ajo përfaqëson, por do të dëshiroja që asnjëherë të mos shihet konflikti përpara bashkëpunimit e të mos lutet dështimi përpara gjetjes së zgjidhjeve”, deklaroi presidenti Begaj. Ndërsa duke ju referuar formulës së betimit, ai deklaroi se detyrën “do ta kryej mbi palët”, kreu i Shtetit theksoi megjithatë se “unë nuk do të qëndroj neutral ndaj asnjërit, që bie ndesh me këtë betim, ndaj asnjërit që vendos interesat politike përpara interesit të Kombit tonë”.

Presidenti i mëshoi disa herë nevojës së dialogut politik. “Do të mbështes dhe këmbëngul përherë në bashkëpunimin mes të gjitha forcave politike, në gjetjen e gjuhës së përbashkët, në gjetjen e rrugëve, qoftë edhe shtigjeve të përbashkëta, sepse në fund ne jemi shërbyes të qytetarëve dhe konflikti nuk është asnjëherë një shërbyes i mire”, deklaroi presidenti duke shtuar se duhet “të largohemi nga politika e konfrontimit dhe ta zëvendësojmë atë me politikën e dialogut dhe të bashkëjetesës, të ndërtojmë bashkërisht ura lidhëse midis klasave politike, shtetasve dhe shtetit”.

Ai vuri në dukje se “kriza e tranzicionit të stërgjatë e të lodhshëm, krizat e prodhuara nga brenda apo të importuara nga jashtë, krizat nga mosmarrëveshjet tona, nga paaftësitë për të gjetur një gjuhë e një rrugë të përbashkët, kriza nga papërgjegjshmëria, nga korrupsioni – të gjitha këto kanë prodhuar pasiguri, padrejtësi dhe përjashtim”.

Seanca e betimit, u bojkotua nga ajo pjesë e deputetëve që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha, i cili ka rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike. Gjatë ditës, me anë të nje deklarate, PD e konsideroi ditën e sotme si “ditën e instalimit të monizmit të plotë të kryeministrit Edi Rama”. Ndërkohë që deputetët e tjerë që në këto muaj, kanë qëndruar pranë kryetarit të grupit parlamntar Enkelejd Alibeaj, ishin të pranishëm “në respekt të Kushtetutës dhe institucioneve”, pavarësisht kundërshtive të forta që dhe ata patën ndaj procesit të zgjedhjes së tij.

Zoti Begaj, ish shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë u propozua si kandidat nga shumica socialiste, me votat e së cilës ai u zgjodh me pas si president, më 4 qershor. Votimi për emrin e tij u krye në raundin e katërt, pasi 3 raundet e mëparshme ishin djegur pa asnjë kandidat, dhe shumica e opozita kishin dështuar të arrinin një marrëveshje për një zgjedhje konsensuale.

Zoti Begaj, 55 vjeç, pason në detyrën e kreut të shtetit, presidentin Ilir Meta, i cili mbylli sot 5 vitet e një mandati të trazuar, ku u bë protagonist i përplasjeve të forta me shumicën. Kjo e fundit tentoi dy herë shkarkimin e tij, por pa ja arritur qëllimit. Zoti Meta, ka premtuar rikthimin e tij të menjëhershëm në politikë, me shumë gjasa duke rimarrë drejtimin e Lëvizjes socialiste për Integrim, partisë që ai themeloi në shtator të vitit 2004, dhe e drejtoi deri kur mori detyrën e presidentit të vendit.

Pas seancës së betimit në parlament, gati një orë më pas, u zhvillua ceremonia e kalimit të detyrës. Zoti Meta dhe presidenti i ri Begaj, dolën së bashku nga dera kryesore e presidencës, për t’u drejtuar në mjediset e jashtme ku ishte parashikuar zhvillimi i procedurave të mëtejshme protokollare.

Your browser doesn’t support HTML5

Presidenti i ri, ceremonia e marrjes së detyrës

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha i dorëzoi zotit Begaj një kopje të kushtetutës. Më pas ai ju drejtua me një fjalim, të pranishmëve në ceremoni.

“Do të jem shërbëtor i popullit tim, përfaqësues i unitetit tonë kombëtar, mbështetës i palëkundur i rrugëtimit euro-atlantik për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, e kudo që ata jetojnë e punojnë. Do të jem kontribues dhe përkrahës i komunikimit e bashkëpunimit, i nismave dhe ideve që zhvillojnë e çojnë përpara shoqërinë tonë. Dialogu dhe bashkëpunimi, midis forcave politike, shoqërisë civile, komuniteteve fetare, të pakicave kombëtare, dëgjimi i vëmendshëm i zërit të medias së lirë, transparente dhe të vërtetë, respektimi dhe pranimi i debatit mundëson që forca e tij të mishërohet në mirëqenie, zhvillim e progres për qytetarët dhe vendin. E ardhmja e vendit është përgjegjësi e të gjithëve”, u shpreh presidenti Begaj.

Më pas ai përcolli ish presidentin Meta, për të hyrë së bashku me familjen në mjediset e brendshme të presidencës, ku zoti Begaj, do të punojë për 5 vitet e ardhshme.

Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel postoi në Twitter një urim për presidentin Begaj duke theksuar se “me hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, jemi në një moment emocionues në marrëdhëniet BE-Shqipëri. Mezi presim të ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë të përbashkët”.

Edhe ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim shpërndau po ashtu në Twitter, urimin e saj për marrjen e detyrës nga presidenti Begaj.

“Ne mezi presim të punojmë me Presidentin Begaj për thellimin e partneritetit të qëndrueshëm SHBA-Shqipëri, forcimin e demokracisë së Shqipërisë dhe mbrojtjen e paqes dhe sigurisë si aleatë të NATO-s” shkroi ambasadorja Kim.