Ashpërsohet gara për udhëheqësin e ri të konservatorëve në Britani

Zyra e kryeministrit të Britanisë së Madhe

Gara për pozitën e kryetarit të partisë konservatore dhe rrjedhimisht edhe për kryeministrin e ri britanik mbetet e hapur.

Në votimin e mbajtur të martën, ish-ministri britanik i financave, Rishi Sunak doli më i votuari nga deputetët konservatorë në parlamentin britanik. Prapa tij me vota janë edhe Sekretarja e Jashtme, Liz Truss dhe Ministrja e Tregtisë, Penny Mordaunt. Në garën e së martës, për shkak të numrit më të ulët të votave, u eliminua zonja Kemi Badenoch, ish- ministre për barazi.

Ish Ministri i Financave, Rishi Sunak

Ligjvënësit konservatorë në votimin e radhës do të eliminojnë një tjetër kandidat përpara se 200,000 anëtarët e partisë qeverisëse të zgjedhin udhëheqësin e tyre të ri, i cili do të bëhet automatikisht kryeministër duke zëvendësuar kryeministrin në largim, Boris Johnson.

Ndryshe nga viti 2019, kur zoti Johnson kishte epërsi të qartë në garë, rezultati këtë radhë është më i vështirë për t'u parashikuar, ndërsa sondazhet me anëtarët e partisë sugjerojnë se zoti Sunak do të humbiste ndaj kujtdo që zgjidhet për t'u përballur me të.

Që kur kryeministri Johnson dha dorëheqjen, në fillim të muajit korrik, pasi administrata e tij e karakterizuar me skandale humbi mbështetjen e shumë deputetëve konservatorë, gara për ta zëvendësuar atë është bërë gjithnjë e më e ashpër me pretendentët që hedhin akuza të shumta dhe duke sfiduar kredencialet konservatore të njëri tjetrit.

Zonja Mordaunt që doli e dyta me votat e deputetëve të mandatit aktual në parlamentin britanik, falënderoi kolegët për mbështetjen e tyre.

Ministrja e Tregtisë, Penny Mordaunt

“Ne pothuajse kemi arritur në fund të garës. Unë jam e entusiazmuar me garën dhe mezi pres të shfaq programin tim në të gjithë vendin dhe të fitoj”, tha ajo përmes një komunikate.

Zëdhënësi i kandidates tjetër, Liz Truss tha se ishte “koha që partia të bashkohet pas një kandidati që do të qeverisë në mënyrë konservatore dhe që ka treguar se mund të ofrojë sukses”.

Sekretarja e Jashtme, Liz Truss

Të tre kandidatët e mbetur, Sunak, Truss dhe Mordaunt kanë prezantuar programe me politika të ndryshme për të shtuar pikë në fushatat e tyre, duke u përpjekur të largojnë vëmendjen nga premtimet për uljen e taksave, në një kohë kur ekonomia në rënie e Britanisë i ka lënë njerëzit me disa nga problemet më të mëdha financiare që shumë vjet.

Zoti Sunak, dorëheqja e të cilit si ministër i financave i dha goditjen e fundit kryeministrit në largim, Boris Johnson, tha se do të zbatonte dënime më të ashpra për kriminelët që nuk paraqiten në gjykatë dhe do të godiste bandat që trafikojnë gra të reja për seks.

“Do të jetë përparësia ime kryesore në qeveri të mbaj të sigurt publikun britanik dhe unë do të bëj gjithçka që duhet për ta arritur këtë”, tha zoti Sunak përmes një komunikate.

DEKLARATA PËR POLITIKA TË REJA

Të tre kandidatët janë në përpjekje të tërheqin mbështetësit e zonjës Badenoch që u eliminuar nga gara të martën, një kandidate e panjohur e cila ka fituar përkrahës për shkak të, siç e sqaruan disa, kritikave të saj ndaj ideve progresive.

Ata gjithashtu do të jenë të prirur të vënë në dukje kredencialet e tyre të djathta për të tërhequr anëtarët e partisë që sipas hulumtimit të vitit 2020 nga Universiteti “Queen Mary” i Londrës dhe Projekti për Anëtarësime Partiake te “Universiteti Sussex”, janë kryesisht burrat në moshë nga pjesa jugore e Anglisë dhe kanë qenë përkrahës të “Brexit” apo daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Votimi nga anëtarët e partisë do kryhet me postë ndërsa rezultati do shpallet më 5 shtator. Sipas një hulumtimi të opinionit që është kryer nga “YouGov” me anëtarët e partisë konservatore tregon se ish ministri i financave, Sunak do humbiste përballë kujtdo nga dy kandidatet e mbetura, ndërsa zonja Truss ka dal me përkrahjen më të madhe ne tregun e basteve.

Zonja Truss, e cila është mbështetëse e zëshme e Ukrainës që prej nisjes së agresionit rus, përsëriti angazhimin e saj se deri në vitin 2030 do të rriste shpenzimet e mbrojtjes deri në 3% të prodhimit të brendshëm bruto.

“Ne jetojmë në një botë gjithnjë e më të rrezikshme ku niveli i kërcënimit është më i lartë se para dhjetë vjetësh dhe ne kemi nevojë për një mburojë më të fortë për të përballuar këto kërcënime dhe për të siguruar që Britania të kryesojë në skenën globale”, tha ajo.

Zonja Mordaunt në anën tjetër u zotua të vazhdojë politikën e kryeministrit në largim, Johnson në trajtimin e pabarazive rajonale në Britani.

“Plani im ekonomik do të nxisë konkurrencën dhe rritjen ekonomike gjithandej vendit, duke krijuar vende pune të së ardhmes dhe duke i mundësuar vendit të jetojë mirë”, tha ajo përmes një komunikate.