Temperaturat arrijnë rekorde historike në Britani

Zyra e motit në Mbretërinë e Bashkuar thotë se Britania ka thyer rekordin e saj për temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë, kur arriti në 40 gradë celsius. Temperatura më e lartë e regjistruar më parë në Britani ishte rreth 39 gradë celcius, një rekord i vendosur në vitin 2019. Britania është përfshirë nga një valë të nxehti që ka përshkuar Evropën kontinentale gjatë javës së kaluar. Kryeministri i dorëhequr britanik, Boris Johnson e përdori takimin e fundit kur ai drejton kabinetin qeveritar për të folur për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.

Your browser doesn’t support HTML5

Temperaturat arrijnë rekorde historike në Britani

Udhëtimi, kujdesi shëndetësor dhe shkollat po përballen me ndërprerje në Britaninë e Madhe duke konfirmuar se vendi është i papërgatitur të përballet me temperatura të larta.

Disa pjesë të Anglisë janë të shënjuara me alarm "të kuq", një paralajmërim për nxehtësinë ekstreme që paraqet rrezik për sëmundje të rënda dhe madje si shkaktar i vdekjes edhe tek njerëzit e shëndetshëm.

Jo pak londinezë janë përpjekur të gjejnë mënyra për t’u freskuar, disa madje duke iu kthyer vendeve të punës.

“Unë do të shkoj në zyrë sepse është më këndshëm dhe freskët. Po marr biçikletën në vend që të marr metron dhe po e shijoj kohën. Bëra një not në mëngjes në liqenin Serpentine, që me të vërtetë më freskoi. Vrapova dhe më pas u freskova në liqen, që është një gjë e këndshme”, thotë banori i Londrës, Tom Elliot.

Radha e njerëzve që presin për t’u futur tek parku “Hyde” ku gjendet edhe liqeni, Serpentine është mjaft i gjatë.

Liqeni 'Serpentine' në parkun "Hyde" - Londër

“Po pres prej një ore, jam në dëshpërim të plotë për t’u futur. Njerëzit janë të mbytur në djersë, ndërsa rreshti ku njerëzit po presin është mjaft i gjatë, dhe po, është vapë e madhe”, thotë banorja e Londrës, Robyn Munro.

“Jam e shqetësuar për persona të moshuar dhe njerëzit që nuk e durojnë vapën, por shpresoj që do zgjasë vetëm pak ditë dhe nganjëherë mendoj që e teprojmë me reagime”, thotë banorja tjetër e Londrës, Yo Haniewicz.

Të martën u arrit shifra rekord për kohën në Britani, pasi temperatura arriti në 40 gradë Celsius.

Njerëzit u paralajmëruan të udhëtonin vetëm nëse ishte e nevojshme dhe rrugët ishin shumë më të qeta se zakonisht.

Parku Hyde, zakonisht me shumë këmbësorë, ishte jashtëzakonisht i qetë dhe të vetmit njerëz atje ishin duke pritur në radhë për të notuar te liqeni.

Temperaturat e larta ishin temë kryesore edhe në mbledhjen e fundit të qeverisë së udhëhequr nga kryeministri tanimë i dorëhequr, Boris Johnson. Ai e shfrytëzoi fjalin e tij për të përmendur rëndësinë e arritjes së nivelit zero në emetimin e karbonit që shihet si një nga shkaktarët kryesor të ngrohjes globale.

“Me temperaturat që vendosin rekorde në këtë vend, kush mund të dyshojë se ne kishim të drejtë që ishim ekonomia e parë e zhvilluar që vendosëm të përkrahim uljen e emetimit të karbonit në nivelin zero? E di që ndonjëherë nuk është e modës ta thuash këtë, por kur ta mbrojmë planetin tonë dhe nëse do të bëjmë gjënë e duhur për të trajtuar ngrohjen globale, është thelbësore që ne të punojmë drejt këtij synimi”, tha zoti Johnson.

Kryeministri Johnson dha dorëheqjen në fillim të muajit korrik pasi humbi përkrahjen e shumë ligjëvënësve të partisë së tij konservatore.

Gara për zëvendësimin e tij po zhvillohet në mes katër kandidatëve, përfshirë Sekretaren e Jashtme të kabinetit të tij, Liz Truss dhe ish ministrit të financave, Rishi Sunak.